Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Diskutimet në këtë drejtim janë rritur secilën herë e më shumë, pasi Presidenca e Kosovës ka thënë se Qeveria nuk është konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Bërja e hapave drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kusht për Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë lidere në fushën e të drejtave të njeriut, në muajin maj.
Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës patën thënë se gjatë muajit maj do të dërgonin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë vlerësuar se diçka e tillë ka qenë e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.
“Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten [Vjosa] Osmani, nuk kemi pasur diskutime, ndonjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla që janë të patejkalueshme”, tha Kurti.
Ilir Kërçeli nga kabineti i i kryetarit të Kuvendit, ka mohuar të ketë ndonjë mospajtim mes presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.