Nga Gazeta ‘Si’– Në një moment të veçantë të zhvillimeve diplomatike me SHBA dhe BE sa i përket Ukrainës, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Gjatë bisedës u diskutuan zhvillimet e fundit, në prag të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Evropian në Bruksel të enjten, më 6 mars.
Kryeministri grek e informoi Zelenskyn për qëndrimet me të cilat Greqia vjen në Këshillin Evropian dhe përsëriti angazhimin e Bashkimit Evropian për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Ai nënvizoi se kjo kërkon një fuqizim të konsiderueshëm të aftësive mbrojtëse të BE-së dhe Ukrainës, si dhe mbështetje amerikane. Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
Siç theksoi edhe zëdhënësi i qeverisë në konferencën javore për shtyp, Kyriakos Mitsotakis është një nga liderët e parë evropianë që ka theksuar prej kohësh nevojën që Evropa të forcojë mbrojtjen dhe sigurinë e saj kolektive nëse dëshiron të qëndrojë si një lojtar gjeopolitik që duhet llogaritur në mjedisin e sotëm kompleks dhe të pasigurt ndërkombëtar.
Dhe për këtë ai ka paraqitur propozime specifike – propozime që kanë të bëjnë si me buxhetet kombëtare, ashtu edhe me nevojën për financim të përbashkët europian për investime të mëdha në mbrojtje dhe konkretisht për financimin e programeve me interes europian, si mburoja e përbashkët evropiane kundër raketave, propozim që ai e ka paraqitur së bashku me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



