Politike

Përplasja për ‘spiunët’, Ministria e Jashtme i përgjigjet Ambasadës Ruse

Ministria e Jashtme thotë se ka marrë notë verbale nga ana e Ambasasdës Ruse në lidhje me dy shtetasit rusë të arrestuar me akuzën e spiunazhit, por kundërshton pretendimet e Ambasadës në lidhje me kohën e marrjes së kësaj note.

“MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria deklaron se të gjitha veprimet e saj janë kryer në përputhje me parashikimet e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare për këto raste.

“Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë”, vijon deklarata.

Në të njëjtën deklaratë zbulohet një detaj, sipas të cilit rusët e ndaluar nuk kanë kërkuar që të kontaktojnë me Ambasadën e tyre në Tiranë.

“Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre”, shton Ministria e Jashtme.

Ministria e Jashtme shton se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe dhënia për Ambasadën së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të vendit tonë.

Në lidhje me shtetasin ukrainas, edhe Ambasada e Kievit në Tiranë ka reaguar, por ndryshe nga Ambasada Ruse, ukrainasit thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm dhe në koordinim me autoritetet shqiptare për këtë rast.

Rusët Mikhail Zorin e Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fiodor Arpatov u lanë në arrest me burg të mërkurën në një seancë gjyqësore ku prokuroria klasifikoi provat si sekret.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë