Politike

Përplasja me Ramën, Haradinaj: E kam vëlla, por të vërtetat do t’i them

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është munduar të qetësojë paska gjakrat me homologun e tij shqiptar Edi Rama pas përplasjeve dhe deklaratave në distancë. Por kur vjen fjala tek e vërteta, ai thekson se nuk mund t’i fshehë dhe se do t’i thotë gjithnjë.

“Kryeministri i Shqipërisë është institucion, për të cilin unë kam shumë respekt. Kryeministri Edi Rama është vëlla i imi ashtu sikurse janë krejt shqiptarët kudo që janë. Të vërtetën do ta them pa marrë parasysh kujt i pëlqen ose jo. Unë kam thënë të vërtetën për Samitin e Berlinit”.

Një ditë më parë, në konferencën për shtyp me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian Federica Mogherini, Rama ashpërsoi gjuhën ndaj Haradinajt duke iu referuar si gënjeshtar dhe budalla.

Rama mohoi t’i ketë thënë Haradinajt në prani të Merkelit dhe Macronit që të heqë taksën ndaj mallrave serbe në kufi. Sipas Ramës një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Duke iu referuar sërish Samitit të Berlinit, ai tha se suksesi më i madh i atij takimi ka qenë kalimi i procesit të dialogut nga shefja Federica Mogherini, në përgjegjësi të kacelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron.

Haradinaj po ashtu komentoi edhe praninë e Milorad Dodik në Tiranë i ftuar në samitin e Brdo Brijunit bashkë me presidentin serb Vuçiç. Ai tha se për Kosovën lideri I serbëve në Bosnjë vazhdon të jetë një agjent i Presidentit rus Putin.

“Dodik nuk është një figurë që përfaqëson vlera, as të bashkëjetesës. Ai është aleat i Putinit, dhe një prej figurave më të këqija. Ai është agjent i Putinit. Nuk dua të komentoj. Por Kosova e sheh atë si njeri të Putinit”.

Shefi i ekzekutivit të Kosovës i bëri këto komente pas homazheve në varrezat e heronjve për Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë