Gazeta Si - Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 40 vite burg për Altin Markun e Besnik Simonin për përplasjen me armë zjarri të ndodhur në Kallmet në vitin 2022.
Për Simonin, kreu i Njëësisë Administrative të Kallmetit, u kërkua deklarimi fajtor dhe dënimi me 12 vite burg, për veprat penale “Vrasja ne kapercim te kufijëve të mbrojtjes se nevojshme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërsa Altin Marku, rrezikon dënimin me 28 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ish-kreu i njësisë administrative Kallmet, Besnik Simoni u përfshi në një konflikt me armë zjarri me bashkëfshatarin e tij Altin Marku, ku të dy mbetën të plagosur. Përplasja me armë ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta.
Zyrtarisht policia ka thënë se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Markut.
Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar atë disa herë.
Ngjarja u regjistrua në 1 prill 2021 rreth orës 13:00 në rrugën që lidh Kallmetin me superstradën Lezhë-Shkodër, ku Marku i bëri pritë në mes të rrugës funksionarit lokal, duke qëlluar disa herë brenda makinës me të cilën udhëtonte ai, ndërsa Simoni iu përgjigj po ashtu me të shtëna arme.
Fatmirësisht nga përplasja me armë mes tyre nuk pati qytetarë të plagosur. Simoni mori tre plumba dhe u paraqit në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Marku mori një plagë në krah dhe u dërgua po ashtu te Trauma në kryeqytet.
Marku u kap 4 orë pas ngjarjes, ndërsa ishte fshehur në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Kallmet, ku policia gjeti edhe armën me të cilën ai plagosi Simonin.
Simoni dhe Marku akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.