Ngjarje

Tetë të arrestuar nga përplasja me armë te Liqeni Artificial. Si nisi sherri në lokal (për çështje respekti!)

Gazeta Si – Një motiv krejtësisht banal, për një shtrëngim duarsh, dyshohet se ka qenë shkaku i përplasjes me armë zjarri mes disa personave në Tiranë pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku 8 prej tyre janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për 51-vjeçarin Ilir Shabanaj, i cili më parë ka qenë dhe kryetar i komunës së Kurjanit në Fier, i cili rezulton të jetë arrestuar më parë në Itali i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të armëve dhe drogës.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në rrugën “Sami Frashëri” në një lokal në hyrje të Liqenit Artificial, ku Shabanaj ka qëlluar në ajër me armë zjarri pa lënduar njeri.

Për këtë ngjarje, policia bën të ditur se ka arrestuar 8 persona të përfshirë, të cilët janë Kasem Stani (Pasha), 40 vjeç; Emiljan Ruko, 39 vjeç; Bjorni Tahiraj, 24 vjeç; Eriald Tahiraj, 35 vjeç; Denikiajder Tahiraj, 30 vjeç; Eduart Sulaj, 47 vjeç; Kastriot Stani, 53 vjeç dhe Elton Ajredinaj, 43 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ilir Shabanaj, i shpallur në kërkim nga policia

Policia tha se identifikoi Ilir Shabanajn, banues në Fier, i cili goditi me qytën e armës 40-vjeçarin Kasem Stani, gjatë konfliktit në lokal, për motive të dobëta dhe po punon për kapjen e tij.

Sipas policisë, në vendgjarje u gjet arma e zjarrit pistoletë dhe u sekuestrua bashkë me celularët e të arrestuarve dhe me prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Sipas burimeve paraprake, e gjithë ngjarja ka nisur brenda lokalit për një konflikt të çastit, edhe pse të gjithë personat kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin.

Fillimisht në ambientet e lokalit kanë hyrë 5 persona, për të pasuar më pas nga 3 të tjerë më vonë. Shkaku i sherrit ka qenë se një prej tyre nuk ka pranuar t’i japë dorën e t’i flasë një prej djemve në tavolinë.

Pistoleta e sekuestruar nga policia

Pas kësaj, ka nisur debat i rëndë me fjalë banale, e më pas ka përfunduar me përleshje fizike, duke përdorur e sende të forta. Konkretisht Kasem Stani, ka refuzuar t’i japë dorën Ilir (Adriano) Shabanajt, i cili ishte i pranishëm në lokal.

Ky veprim duket se nuk është pëlqyer nga 51-vjeçari, i cili fillimisht ka ofenduar me fjalë fyese 40-vjeçarin Stani e më pas ka dalë nga lokali, ka shkuar të marrë pistoletën në makinë dhe është rikthyer.

Në fillim ka qëlluar me armën e zjarrin, e më pas me qytën e pistoletës ka dëmtuar lehtë Kasem Stanin.

Pas të shtënës, të gjithë janë larguar nga vendngjarja me makinat e tyre. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, policia ka arritur të identifikojnë personat e përfshirë në konflikt, një pjesë e të cilëve i është komunikuar sot masa e sigurisë “arrest në burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë