Kosova

Përplasja e Osmanit me Konjufcën, opozita: Bëjnë cirk! Po tallen me përgjegjësitë

Nga Gazeta ‘Si’- Replikat e presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit me kryeparlamentarin Glauk Konjufca lidhur me moskoordinimin për letrën e dërguar në Këshillin e Europës, janë parë si ‘cirk’ nga opozita në Kosovë.

Rasti i djeshëm ndonëse nuk ishte ndër të parët kur Osmani kundërshtoi qeverinë, ishte një ndër goditjet më direkte të saj. Kjo ‘krisje’ mes tyre kaloi menjëherë nën ‘sitën’ e opozitës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ndonëse pati kritika për heshtjen e gjatë të Osmanit tha se gjithaq reagimi i saj ishte befasues.

“Reagimi i presidentes ishte pak befasues, sepse ka bërë kjo ministre dhe kjo Qeveri gabime shumë më të mëdha se aq dhe nuk kemi dëgjuar as edhe një deklarim nga ana e presidentes. A do të thotë kjo se atëherë kanë qenë të koordinuar e tash jo?…Po flas për faktin se Kosova është nënsanksione, fal vendimeve të papërgjegjshme të Qeverisë, Kosova sot është në listë me Rusinë dhe Bjellorusinë, pra nuk kemi dëgjuar asnjë kritike nga presidentja për këto vendime…pas një heshtje shumë të gjatë ajo reagoi”, deklaroi ajo.

Po ashtu, edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj kësaj ngjarje dhe është treguar më i ashpër në kritikën e tij ndaj Qeverisë. Ai e ka parë këtë si tallje me përgjegjësitë.

“Tallje me përgjegjësitë shtetërore. Dështime gjithandej. Vendi nën sanksione. E këta bëjnë cirk në Prishtinë.” – ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Armend Muja u shpreh se “ka hapësirë” që palët të diskutojnë mbi shqetësimet.

“Presidenti është për të përfaqësuar unitetin dhe kjo nënkupton se kohë pas kohe mund të kemi pikëpamje të ndryshme për ndonjë taktikë apo strategji por e rëndësishmë është që në kuptim të raporteve, për aq sa e di unë dhe për aq sa e di nga Kurti, ekziston një nivel i respektit maksimal për institucionin e Presidentit dhe besoj që kjo duhet të vazhdojë. Diskutimet në lidhje me koordinim apo moskoordinim unë besoj që ka hapësirë që të gjitha palët të mblidhen dhe të diskutojnë se cilat janë shqetësimet por nuk shoh ndonjë përkeqësim kapital në raport.” – tha ai.

Deklaratën e Konjufcës se Osmani nuk u njoftua për letrën pasi ndodhej në Amerikë ajo e konsideroi qesharake dhe absurde.

“Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtet deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këta tre vjet e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë.”

Osmani deklaroi se me këtë moskoordinim për një çështje kaq kapitale po përpiqen t’i lënë fajin Presidencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë