Analize

Përplasja e dy sistemeve, si mund të mbyllet lufta në Ukrainë

Nga Nassim Nicholas Taleb – Lufta në Ukrainë është një përballje mes dy sistemeve; njëri modern, ligjor, i decentralizuar dhe multiqefal, ndërsa tjetri arkaik, nacinalistik, i centralizuar dhe monoqefal.

Konflikti tregon një mjegullnajë të dëmshme të rusëve dhe mbështetësve të tyre, mes kombit në kuptimin etnik dhe shtetit si një njësi administrative.

Një shtet që kërkon legjitimitetin përmes unitetit kulturor duhet të jetë i vogël; në të kundërt do të përballet me kundërshtimin e kulturave të tjera. Një zviceran frankofon, megjithëse i lidhur kulturalisht me gjuhën e vet, nuk aspiron që të bëhet pjesë e Francë dhe as Franca nuk përpiqet që të pushtojë pjesën frëngjisht-folëse të Zvicrës duke shfrytëzuar këtë pretekst.

Frankofonët e belgjikës kanë një identitet krejt tjetër nga francezët. Franca vetë ka kaluar përmes disa proceseve (të dhunshme) kolonizimi të brendshem duke shkatërruar Provençal, Languedoc, Picard, Savoyard, Breton dhe kultura të tjera përmes një identiteti të centralizuar. Kombësia nuk është asnjëherë e përcaktuar me thikë dhe as mund të përcaktohet si e tillë; administrata po.

Uniteti kulturor mund të ketë kuptim, por vetëm në një formë të reduktuar si qytet-shtetet. Shteti funksionon më mirë në këtë rast. Por, po në këtë rast nacionalizmi është mbrojtës. Të tillë janë nacionalizmat katalanas, baskë, apo i të krishterëve në Liban. Në rastin e Rusisë, nacionalizmi është agresiv.

Sipas Pax Romana, apo Pax Ottomana nuk kishte shtete të mëdha, por qytet-shtete të grumbulluara nën një perandori, roli i së cilës pak ndjehej në jetën e përditshme. Por, ka perandori elastike dhe ka edhe shtete kombe të ngurta si perëndori. Këtë të fundit e përfaqëson Rusia.

Aktualisht kemi dy modele të imperializimit; modeli i rëndë dhe i forcës, si ai i Rusisë, ose modeli i shteteve që koordinohen me njëra-tjetrën, siç është NATO. Këto dy modele po përplasen në Ukrainë dhe do të shohim se cili do të jetë fitimtar. Prandaj, lufta nuk është mes Ukrainës dhe Rusisë, por një përballje mes dy sistemeve, njëri modern dhe tjetri arkatik.

Ukraina dëshiron që të jetë pjesë e sistemit liberal dhe megjithëse është sllave, ashtu si Polonia, kërkon që të bëhet pjesë e Perëndimit.

Çfarë quhet Perëndim?

Ajo që quajmë “Perëndim” nuk është një entitet shpirtëror, por një sistem administrativ. Nuk është një ansambël etno-gjeografik, por një sistem institucional ligjor, ku përfshihet edhe Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani.

Në SHBA, diferenca mes demokratëve dhe republikanëve është e vogël kur shihet nga një vend tjetër. Të dyja palët duan progres social, por me qasje dhe ide të ndryshme se si arrihet ky progres.

Në anën tjetër, nacionalizmi kërkon ‘hyjnorin centralizim’, më keq se një shtet i modelit hegelian. Shpesh nacionalizmi merr dimensione shpirtërore, përfaqësuar nga Solzhenitsyn dhe Patriarku i Moskës përmes modelit të ortodoksisë ruso-sllave.

Edhe vetë lidhja mes Ukrainës dhe Rusisë mund të vihet në pikëpyetje. Krimea ka qenë ruse që prej Katerinës II dhe stalini e rusifikoi gadishullin duke zhvendosur prej andej tatarët. Është e lehtë të thuash që Ukraina është zemra e Rusisë, sepse vjen nga “Rus of Kiev”, por shumë mirë mund të thuhet që është edhe “Hordhia e Artë” e djemve të Genghis Khan.

Pastaj, edhe sikur shpirtërisht Ukraina të ishte pjesë e Rusisë, kjo nuk do të thotë automatikisht që ukrainasit nuk kanë të drejt t’i bashkohen sistemit perëndimor. Ata mund të mbeten sllavë në kulturë e gjuhë, por administrativisht të organizuar në një sistem perëndimor dhe të mbrojtur ushtarakisht nga një aleancë mes perëndimorëve, e cila, sa përr kujtesë, përfshin edhe Turqinë. Putin nuk e kupton këtë dhe as disa specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që shpesh quhen “realistë”.

Shtetet vs individët

Mendimtarë mendjengushtë si John Mearsheimer dhe të ngjashëm me të ngatërrojnë interesat shtetërore me interesat individualë. Ata besojnë se ka vetëm një balancë pushteti mes fuqive të mëdha. Për Mearsheimer, Putin po reagon kundër progresit të Perëndimit në territorin e vet. Por, realiteti është ndryshe dhe lidhet me atë se çfarë duan vetë ukrainasit, që është të jenë pjesë e një sistemi “zemërmirë” ndërkombëtar, që funksionon mirë sepse është i vetërregulluar dhe ku balanca e pushtetit ekziston, por është e padëmshme.

Putin dhe “realistët” janë shekulli i gabuar. Ata nuk besojnë te sistemet, por te individët. Ata vuajnë, nga ajo që unë e quaj “Sindroma Ëestphalia”, që i konceptojnë shtetet si të ngurta, të fiksuara dhe ente platonike.

Solzhenitsyn
Solzhenitsyn pa qartë anën djallëzore të shoqërisë komuniste, por besonte se shoqëria perëndimore ishte po aq e dëmshme. Por, duke qenë natyralisht kundër centralizimit, perëndimi synon që të shndërrohet si Zvicra. Perëndimi po evoluon dhe nuk ka qendra të fiksuara autoriteti. Sigurisht, ka qendra influence me ndikime të ndryshme në Perëndim, ashtu siç sot Google dhe dje General Motors, por Google dhe General Motors nuk janë në qendër të autoritetit, madje as që e kontrollojnë dot më vetveten.

Këto modele priren drejt “anti-brishtësisë”, një koncept që i referohet zhvillimit të sistemeve kur ekspozohen ndaj stresit, presioneve apo konflikteve. Rusia nuk mund të jetë e “anti-brishtë”.

Një mekanizëm korrigjues gabimesh

Një sistem i qëndrueshëm kërkon një organizatë të decentralizuar, që bën të mundur korrektimin e gabimeve për të shmangur, reduktuar ose izoluar në nivele lokale efektet e rrisqeve.

Si shembull, Franca e shkatërroi Sirinë kur vendosi centralizimin e pushtetit dhe këmbënguli që Gjermania duhej të ishte federale nën iluzionin se do ta dobësonte atë. Në mungesë të një qendre gravitacionale pushteti, Gjermania nuk mendoi më sesi të bënte luftë, por si të bënte para dhe rezulton që kjo e dyta është më efikase se sa armët.

Gjermania u shndërrua në një superfuqi ekonomike falë federalizmit dhe sot ky federalizëm duket krejtësisht natyral, sepse gjermanët historikisht në histori kanë pasur shtete të fragmentarizuara, deri kur u mblodhën nën ombrellën e Prusisë.

Për Rusinë, një organizatë kaq e decentralizuar do të ishte e pamundur. Menjëherë federata do të gjente veten përballë shkëputjes të të paktën 20 shteteve të vogla, si Çeçenia, Ingushetia e të tjera. Kjo është arsyeja se përse Moska e tërheq litarin në anën tjetër duke shtrënguar centralizimin.

Interesi i botës perëndimore është modeli i decentralizimit i ngritur mbi kontrata që lejojnë autonominë rajonale nën koordinimin global. Rusia është e kundërta dhe beson ende te balanca e fuqisë. Po të shohësh Perëndimin, ai sot nuk ka një qendër. Nëse do të kishte një të tillë, sot do të ishte në Kiev dhe nëse do të shkatërrosh Perëndimin, sa bomba do të duhen? Nëse shkatërron Uashingtonin, Londra dhe Parisi do të mbeten, por nëse shkatërron pallatin e Putinit, ndodh krejt e kundërta.

Stabiliteti i një sistemit të decentralizuar është më i fortë se ai i një sistemi të centralizuar dhe përballja e deritanishme po e tregon këtë.

Si mund të hyjë Rusia në botën moderne?

Vetëm nëse fragmentohet në shtete të ndara. Disa grupe rusësh gjithmonë kanë qenë irredentistë, por ka shumë minoritete dhe shpesh harrohet rusët jo domosdoshmërisht kanë të njëjtat interesa me Rusinë. Interesat kombëtare janë abstrakte dhe njerëzit i besojnë vetëm në raste konfliktesh.

Ortodoksia dhe patriarkët minorë

Patriarku i Moskës ishte gjithashtu edhe Patriarku i Ukrainës. Por, në botën ortodokse, kur ndodh një çarje etnike, apo gjuhësore, një ‘patriark minor’ emërohet në vendin që ka fituar pavarësinë. Ky është rasti për Serbinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Kjo është arsyeja se përse Patriarku i Konstandinopojës, më i rëndësishmi pranoi kërkesën që Metropolitani i Kievit të bëhej një Patriark Minor në 2019. Nga ky vendim, kisha ortodokse ruse u ndje e tradhtuar. Patriarku i Moskës, Cyril mbështet Putinin, ashtu si Patriarku i Antiokut, që është pranë regjimit të Bashar al-Assad.

Që një sistem i decentralizuar, i shpërndarë dhe i përbashkët të funksionojë dhe kundërveprojë kërkon kohë. Kërkohet shumë dele që të luftojnë një ujk dhe në 2014-n, kur Rusia aneksoi Krimenë pati pak dele.

Njerëzit duan të jenë në gjendje që të tregtojnë në botën e Adam Smithit. Ky debat fals më kujton kundërshtitë mes Napoleonit dhe anglezëve.

Napoleoni dhe dyqanxhiu anglez

Ajo që anglezët donin në fillim ishte vetëm që produktet e tyre të mbërrinin të sigurta në ishull. Këndvështrimi dhe politikat e Napoleonit nuk u interesonin. Kur Napoleoni mendonte për lavdinë e Francës, anglezet mendonin për portofolin e tyre. Anglezët fituan, prandaj sot, si shembull, gjermanët janë më të interesuar që të eksportojnë makinat e tyre, se sa të zgjerojnë gjeografikisht vendin e tyre.

Sistemi liberal është i gabueshëm, por kritikat ndaj tij nuk duhet të synojnë që ta shkatërrojnë, por ta përmirësojnë. Kundërshtoj ndërhyrjet ushtarake dhe naive të perëndimit në Irak, në Siri. Nuk kundërshtoj Brexit, sepse britanikët mendojnë se mund të jenë pjesë e sistemit perëndimor pa qenë të varura nga makineria burokratike e Brukselit. Kjo është e drejta e tyre.

Problemi me këtë sistem është transparenca, që shkakton perceptime të gabuara. Tocqueville kuptoi se barazia duket më e fortë kur ajo është e reduktuar. Ngjashmërisht, një sistem duket jofunksional kur është transparent.

Pseudo-liberalët që hiqen si perëndimorë, por mbështesin Putin janë të kontrolluar përgjithësisht prej Rusisë. Janë të njëjtët njerëz që mbështesnin Trump, mbështesnin protestën e drejtueve të kamionëve kundër Covid në Kanada. Janë njerëz naivë që nuk i mendojnë gjatë aksionet dhe pasojat e veprimeve të tyre. Ata nuk e kuptojnë që shkatërrimi i sistemit të sotëm është njësoj si t’i dërgosh ftesë tiranisë.

Edhe nëse lufta në Ukrainë mbyllet “mirë”, ajo do të tregojë se pasja e një bombe bërthamore është e mjaftueshme për një shtet që të shkaktojë një fatkeqësi. Megjithatë, në botën e sotme nuk është e pranueshme për një lider që të pushtojë një vend tjetër vetëm se ka një bombë atomike. Ky koncept duhet shkatërruar.

Kjo na çon te rreziku tjetër, Kina. Sigurisht, Kina nuk i është larguar konceptit modern të botës aq sa Rusia. Ajo është e lidhur ngushtë me Perëndimin përmes tregtisë, por gjithashtu ka edhe prirjet imperialiste. Prandaj, gjëja më e mirë për botën dhe për vetë kinezët do të ishte ndarja e saj. Hong-Kongu dhe Tajvani janë dy territoret që kanë lulëzuar të shkëputura nga Pekini.

Si mbyllet lufta në Ukrainë?

Nëse Vladimir Putinit i jep gishtin, ai do ta fitojë luftën. Prandaj, lidershipi rus duhet turpëruar si mënyra e vetme që të tërhiqet nga Ukraina. Na duhet një përsëritje e luftës Ruso-japoneze të 1905-s. Në këtë luftë, Perëndoria Japoneze fitoi ndaj asaj ruse, duke pasuar në Rusi lëvizje e protesta, shkëputjeje deri kur mbërriti revolucioni bolshevik.

Në këtë rast, Putini do të rrëzohej nga brenda, sepse historikisht njerëzit që pranojnë autokracinë nuk pëlqejnë udhëheqësit e dobët. Një Putin i dobësuar nuk është më një Putin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë