Gazeta Si – Një skenë si në filmat aksion u regjistrua mëngjesin e kësaj të premteje në zonën pranë Medresesë në Tiranë, ku një 42-vjeçar, i cili përplasi disa makina policie dhe aksidentoi mjete të tjera, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, u arrestua nga efektivët.
Ai ishte ndaluar edhe dy javë më parë nga policia, pasi rezulton se është me probleme të shëndetit mendor.
Sipas policisë, 42-vjeçari tentoi t’i ikte policisë, pasi në ambientet e QSUT kishte qëlluar me pistoletë lodër një mjeke. Teksa ai i ikte forcave të rendit, ka përplasur tre automjete të policisë, duke shkaktuar panik në kryeqytet.
Pas një përpjekjeje të gjatë, policia arriti ta neutralizojnë drejtuesin e mjetit dhe ta arrestojë. Nga përplasja e mjeteve, u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
“Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari. Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari, – njoftoi policia e Tiranës. – Rreth orës 09:00, 42-vjeçari, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre”.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.