Nga Franc Kafka – Përpara derës së Ligjit ka një roje.
Përpara tij vjen një fshatar dhe i lutet që ta lejoj të hyjë te Ligji. Por, roja përgjigjet se nuk është momenti dhe nuk mundet ta lejojë të hyjë.
Burri mendohet pak dhe e pyet nëse do jetë e mundur që të hyjë më vonë.
– Është e mundur, – i thotë roja, – por tani, jo.
Portat e Ligjit janë të hapura, si gjithmonë, roja ka kaluar në një anë në mënyrë që burri të përkulet për të parë brenda. Roja e paralajmëron duke qeshur dhe thotë:
– Nëse kaq shumë të tërheq, përpiqu të hysh pavarësisht se unë të ndaloj. Por kujto
këtë: unë jam i fuqishëm. Unë jam i pari i rojeve. Nga salla në sallë do të takosh roje përherë e më të fuqishëm. Edhe vetë, unë, nuk mund të përballoj dot shikimin e të tretit.
Fshatari nuk kishte parashikuar të tilla vështirësi. Sipas të gjitha gjasave, Ligji duhet të jetë i pranueshëm nga të gjithë dhe në çdo moment, mendon. Por kur shikon me më shumë vëmendje rojen, me strehën e madhe të lëkurës, me hundën e tij të madhe me majë, me mjekrën e gjatë e të zezë prej tartari, vendos të pres derisa ai t’i japë lejen që të hyjë. Roja i dha një stol dhe e lejon të ulet në anë të portës. Atje burri qëndron me ditë dhe vite. Shumë herë tenton të hyjë dhe vë në lojë rojen me kërkesat e tij. Roja i bën, në mënyrë të shpeshtë, pyetje të vogla. E pyet për tokën e tij dhe për shumë gjëra të tjera, por janë pyetje indiferente, si ato të zotërinjve të mëdhenj, dhe në fund përsëritet gjithmonë që nuk mund ta lejojë të hyjë. Burri, që e kishte parashikuar mirë udhëtimin, e investon gjithçka, deri dhe më të rëndësishmet, për të korruptuar rojen. Ai pranon gjithçka, por gjithmonë përsërit të njëjtën gjë:
– Po e pranoj që të mos mendosh se kam harruar ndonjë përpjekje.
Gjatë gjithë këtyre viteve, burri vrojton pandërprerë rojen. Harron gjithë rojet e tjerë dhe atij i duket se ky është e vetmja pengesë që i del përpara në hyrjen për te Ligji. Vitet e para mallkon fatin e tij me zë të lartë, pa u frenuar në asgjë; kur plaket, vetëm mërmërit me sikur. Kthehet fëmijëror, dhe si në këto vite që i ka kushtuar studimit të rojes ka arritur të njoh deri dhe pleshtat e lëkurës së qafës së tij, gjithashtu ju lutet pleshtave që ta ndihmojnë të bindë rojen. Më në fund, shikimi i tij dobësohet dhe tani nuk e di nëse në realitet është duke u errësuar rrotull tij apo po e gënjejnë sytë. Por në atë gjysmerrësirë zbulon një shkëlqim të parezistueshëm që vjen nga portat e Ligjit. Tani nuk i ngelet dhe shumë jetë. Përpara se të vdes kujton gjithë përvojat e atyre viteve në një pyetje, që kurrë nuk ia kishte bërë rojes. I bën një shenjë që të afrohet, trupi i tij dikur i papërkulur tani nuk i lejon më të ngrihet.
Rojes i duhet të përkulet shumë, sepse diferencat e shtatit janë theksuar dukshëm me kohën, në të tatëpjetën e fshatarit.
– Çfarë do të dish tani? – pyet roja. – Je i pangopur!
– Të gjithë kërkojnë Ligjin, – thotë burri. – Si është e mundur që në të gjithë vitet që jam këtu, asnjë më shumë se unë nuk ka kërkuar lejen për të shkuar tek ai?
Gardiani e kupton që burri është në pikën e fundit dhe bërtet, dëgjimi i tij i dobësuar duhet të perceptojë fjalët që thotë.
– Asnjë tjetër nuk mund të hyjë që këtej, sepse kjo hyrje është e destinuar vetëm për ty. Tani do ta mbyll.
Përktheu nga spanjishtja Meri Lika
06.10.2008
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.