Pas disa ditësh me reshje shiu të dendura dhe përmbytje, ditën e sotme vihet re një përmirësim i kushteve atmosferike në disa zona të vendit.
Në qytetet më të goditura nga moti i keq nuk raportohet për problematika të shkaktuara nga reshjet. Në Lezhë e Shkodër raportohet për një përmirësim të situatës.
Bashkia e Shkodrës njofton se aktualisht rruga e Obotit është e kalueshme vetëm për mjetet e larta ku niveli i ujit në rrugë arrin mbi 80 cm.
Sipërfaqja e tokave bujqësore të përmbytura është mbi 1000 hektarë ku më e madhe është në fshatrat Obot, Muriqan e Oblikë. Ndërsa në njësinë administrative të Dajçit, toka bujqësore e përmbytur vlerësohet në 800 hektarë në zonën e quajtur “Këneta e Dajçit”.
Ndërkohë, në qarkun e Lezhës është zvogëluar sipërfaqja e tokave të zaptuara nga uji, kjo si pasojë e uljes e ndërprerjes së reshjeve të shiut.
Kurse tokat bujqësore të Torovicës dhe Zadrimës vijojnë në pjesën më të madhe të jenë në ujë. Ndërkohë gjendja e akseve rrugore është pa probleme. Gjithsej në Lezhë janë 2500 ha tokë bujqësore e përmbytur, ndërsa në Kurbin 100 ha tokë.
Nga ana tjetër, në Torovicë, shembjet e dherave rrezikojnë rreth 10 banesa, ndërsa 2 prej familjeve janë evakuuar që natën e mbrëmshme nga shtabi i emergjencave civile.
Sa u përket qyteteve të tjera si Berat, Gjirokastër, Elbasan, Fier dhe Kukës nuk raportohet për problematika të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




