Ekonomi

Përmirësohet pak besimi tek ekonomia, por mbetet përsëri i ulët

Hapja e aktiviteteve ekonomike pas karantinës së gjatë ka bërë që besimi tek ekonomia të ndryshojë në kahun pozitiv, por vijon të mbetet ende nën mestaren historike.

Të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë të vitit në lidhje me, Treguesin e Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 23 pikë, pasi preku nivelin më të ulët historik në tremujorin e dytë. Por mbetet sërish nën mesataren historike, si në nivelin mesatar, ashtu edhe për secilin prej sektorëve që e përbëjnë atë.

.Në rritjen kontribuuan përmirësimi i besimit të bizneseve, sidomos në setorët e ndërtimit dhe të shërbimeve.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 23.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë.

Niveli më i lartë i atribuohet rritjes së aktivitetit ndërtues me 34.5 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 11.9 pikë përqindje. Përmirësim shënuan edhe gjendja financiare, punësimi, pritjet për të në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Në nivele të përafërta u rrit edhe treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve, me 22.2 pikë përqindje. Të dy balancat përbërëse shënuan rritje, me 22.4 pikë përqindje ecuria e biznesit dhe me 22.0 pikë përqindje kërkesa. Në kahun rritës rezultuan edhe balancat e tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi, pritjet për ecurinë e kërkesës dhe punësimit në tremujorin e ardhshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 14.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Dinamika e përmirësuar e treguesit vijoi t’i atribuohet pothuajse tërësisht balancës së ecurisë së biznesit, e cila u rrit me 29.4 pikë përqindje. Ndërkohë, komponenti tjetër përbërës, balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel me një tremujor më parë. Balanca të tjera të vrojtimit për tregtinë, të cilat shënuan rritje ishin gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.

Rritjen më të ulët mes bizneseve e shfaqi treguesi i besimit në sektorin e industrisë, me 9.7 pikë përqindje. Përmirësimi  pasqyroi kryesisht rritjen e balancës së prodhimit, me 21.9 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël, rritjen e balancës së kontratave porositëse, me 9.9 pikë përqindje.

Treguesi i besimit konsumator u rrit me 3.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Balanca e blerjeve të mëdha u rrit me 8.2 pikë përqindje, ajo e situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend u rrit me 3.1 pikë përqindje, ndërsa balanca e të ardhurave dhe shpenzimeve u rrit me 1.8 pikë përqindje. Ndërkohë, balancës e situatës financiare të pritur të familjes ngeli pothuajse e pandryshuar, çka tregon se pasiguria e konsumatorëve për të ardhmen ngelet e lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë