Treg

Përmirësohen standardet e kreditimit për bizneset. Vazhdon rritja e kredisë për banesa

Në gjykimin e bankave tregtare, kushtet e ofertës për kredi u përmirësuan në tremujorin e tretë, sipas publikimit të Bankës së Shqipërisë. Treguesit që ilustrojnë kushtet e ofertës për kredi, standardet, kushtet e termat, si edhe raporti i kredive të refuzuara u përmirësuan, si në segmentin e  bizneseve ashtu edhe në atë të individëve. 

Po ashtu, edhe kërkesa për kredi u perceptua në rritje në këtë tremujor, si nga bizneset ashtu edhe individët. Bazuar në opinionet e bankave, standardet e kreditimit për bizneset vijuan lehtësimin edhe në tremujorin e tretë. Kriteret e miratimit të kredive, bazuar në udhëzimet e brendshme të bankave, ishin më të relaksuara, si për kreditë e dhëna në financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditete. 

Përmirësimi i tablosë makroekonomike në vend, duket se ka mbështetur vendimmarrjen e bankave për të refuzuar një numër më të ulët aplikimesh për kredi nga bizneset në këtë tremujor. Paralelisht me to, bizneset, kryesisht ato të mëdha, kanë shtuar kërkesën për kredi nga bankat, si për të financuar investimet e planifikuara, ashtu edhe për të mbuluar nevojat për likuiditete.

Bankat ndoqën politikë të ngjashme lehtësimi edhe për individët në tremujorin e tretë. Kështu, standardet dhe kushtet e termat e kreditimit u lehtësuan, kryesisht në kreditë për blerje banesash. Po ashtu, bankat u shprehën se kishin reduktuar raportin e kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga individët.

Në këtë tremujor u vërejt një kërkesë e shtuar për kredi, e përqendruar më së shumti për blerjen e banesave. Zgjerimi  i kërkesës për kredi nga ana e individëve, sikurse dhe për bizneset, krahas nevojave të shtuara për financim, i atribuohej përmirësimit të treguesve makroekonomikë e financiarë, si edhe atyre të besimit.

Në këndvështrimin e bankave, tabloja e tremujorit të tretë, në kushtet e ofertës dhe kërkesës për kredi, pritet të mbartet edhe në tremujorin e fundit të vitit.

Kështu, pritjet e bankave për tremujorin e fundit të vitit tregojnë një lehtësim të mëtejshëm të kritereve në miratimin e kredive, si për bizneset ashtu edhe individët. Përballë kësaj politike kreditimi të bankave, edhe kërkesa për kredi, si nga ana e bizneseve ashtu edhe e individëve, pritet të jetë më e lartë. Shtimi i kërkesës për kredi në të dyja kategoritë pritet të jetë me bazë të gjerë, në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë