Sociale

Përmbytjet, Peleshi: Bashkitë të përdorin fondin 10 mln euro si ndihmë për familjet e prekura

Gazeta Si - Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka deklaruar se situata e përmbytjeve në veri të vendit është normale, por në monitorim nga autoritetet.

Ai bëri të ditur se aktualisht në Shkodër dhe në Lezhë në total janë 2985 hektarë tokë e përmbytur nga uji.

Sipas ministrit, të gjitha bashkitë kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë eurosh.

“Të gjitha bashkitë kanë pasur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 milionë Euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm”.

Peleshi shtoi se “ky buxhet mund të përdoret për shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike, akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake, marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike, shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente, mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile, blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor, mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre”, deklaroi Peleshi.

Sipas tij, në Shkodër janë 1685 hektarë tokë nën ujë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

Edhe në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim. Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje. 1300 hektarë tokë është sipërfaqja e përmbytur.

Sa i përket rrugëve, ministri Peleshi bëri të ditur se pjesa më e madhe e akseve janë të hapura për qarkullim.

“Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth. Në akset  Kukës-Krumë, Kukës-Ura Zapodit, në aksin Kukës-Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit – Lezhë Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit. Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike. Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat”, deklaroi Niko Peleshi.

Që prej ditës së parë, në terren u angazhuan 570 Forca të Armatosura, 495 forca zjarrfikëse, 3.400 forca nga Policia e Shtetit, 315 forca vullnetare, ekipet e shërbimit mjekësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë