Nga Gazeta ‘Si’- Teksa kërkoi sërish shpalljen e fatkeqësisë natyrore në vend, Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që kudo që shohin ministra, t’i gjuajnë me vezë dhe me domate.
Sipas kreut të PD, ata janë sot shkaktarët kryesorë të fatkeqësive të qytetarëve.
Berisha tha se hidrovorët e Durrësit dhe Hamallës sipas tij nuk kishin asnjë pompë në funksion, gjë që referuar tij, u bë shkak për përmbytjet në Durrës.
Ai tha se Rama nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse gjendja e jashtëzakonshme në ligjet e vendit, në Kushtetutë, e detyron pastaj t’u përgjigjet qytetarëve me dëmshpërblim.
Megjithatë përkundër fjalëve të Berishës, sjellim ndërmend se më herët sot Rama premtoi dëmshpërblim të drejtë për të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë.

“Durrësi është përmbytur në mënyrë apokaliptike. Të mos harrojmë se aty ka qenë kënetë, dhe nëse ujërat nuk hiqen, aty nuk jetohet më.
Dhe ky, me shpifje thotë, nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse gjendja e jashtëzakonshme në ligjet e vendit, në Kushtetutë, ajo e detyron pastaj t’u përgjigjet qytetarëve.
E detyron që fondin rezervë ta çojë drejt tyre në radhë të parë. Po jo, thotë, po na përçajnë thotë…
Mund të rri dhe të numëroj shumë më shumë, por duhet të them këtu se kjo qeveri nuk ka asnjë orë legjitimitet.
Është faktuar se ka ardhur nga zgjedhje farsë elektorale. Është e provuar kjo. Në Parlamentin Europian, kryetari i delegacionit të PE që monitoroi zgjedhjet, deklaroi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rrotacionin politik. Pra, mban në pushtet Edi Ramën”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




