Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i PD Sali Berisha bëri thirrje që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të përmbytjeve në vend.
Ai akuzoi Ramën se po bën sehir në këtë situatë. Sipas tij, Rama po reagon me cinizëm ekstrem (duke iu referuar postimit të Ramës në mëngjes) dhe madje tha se po tallet ndaj qytetarëve të përmbytur.
Sipas tij, 42 milionë eurot e dhëna për mbrojtjen e Durrësit nga përmbytjet janë vjedhur.
Ai tha se pavarësisht se nga Vora gjer në bregdet shtrihet sistemi i kanalizimit që synon të mbrojë ato territore nga përmbytja, kanalet sipas tij janë fiktive dhe janë të bllokuara.
“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera.
Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme.
Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.
Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore.
Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete. Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.
Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë.
Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




