Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur grupin parlamentar këtë të enjte nga ku dhe foli për situatën e shkaktuar në vend nga përmbytjet.
Sipas Berishës, qytetarët e prekur nuk morën mbështetje nga institucionet përkatëse, duke cilësuar se këto të fundit janë dhe shkaktarë të situatës.
“Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë. Në një përmbytje me pasoja të rënda. Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera. Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie“, u shpreh ai.
Duke përmendur dhe zjarret e sezonit veror, kryedemokrati u shpreh se “satelitet i vërboi korrupsioni”, duke akuzuar kështu qeverinë për mos marrje të masave të nevojshme për këto fatkeqësi.
“Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të. Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve. Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute. Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj. Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës. Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni“, tha ai.
Duke e rikthyer vëmendjen tek përmbytjet, Berisha u shpreh sërish se hidrovorët nuk ishin në funksionin e tyre të plotë, teksa shtoi akuzat ndaj kreut të qeverisë.
Ai tha se PD do të bëjë një inventar për dëmet dhe kur të vijë në pushtet do dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto përmbytje.
“Më dramatike është situata e përmbytjeve, homemade, e bërë nga dora e njeriut, jo shi, nuk e ka sjellë njeriu. Por problemi është se në Durrës dy hidrovorë të fuqishëm, e dy kanale kryesore që e mbrojnë territorin e këtij qarku, ishin jashtë funksionit“, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



