Bota

Përmbytet veriu i Italisë, stuhi të forta në Milano. Një grua e zhdukur në Alessandria

Gazeta Si – Një grua rezulton e zhdukur në zonën e Alessandrias, ndërsa 15 persona janë të izoluar dhe ka dëme të shumta dhe përmbytje.

Vala intensive e motit të ashpër që ka goditur Piemonten në Itali që nga mbrëmja e të dielës, ka filluar të krijojë probleme në të gjithë rajonin.

Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur provincën e Milanos që nga nata e kaluar: deri në agim, 30 milimetra shi kishin rënë tashmë në pjesën veriore të kryeqytetit dhe mbi 80 milimetra në Paderno Dugnano dhe Seveso.

Situata është më kritike në provincën e Alessandrias, veçanërisht në Ovada, ku kryetari i bashkisë ka vendosur të mbyllë shkollat.

Janë raportuar makina të bllokuara në nënkalime dhe ndërprerje të shërbimeve hekurudhore midis Savonës dhe Alessandrias.

Sipas zjarrfikësve, 22 operacione shpëtimi në lidhje me shirat e rrëmbyeshëm janë kryer vetëm në zonën e Alessandrias.

Në Spigno Monferrato, 15 persona po shpëtohen nga një kamping i bllokuar për shkak të rritjes së niveleve të ujit.

Një grua gjermane raportohet gjithashtu e zhdukur në Pareto, por nuk dihet asgjë për të që nga stuhia e dhunshme që goditi luginat Erro dhe Bormida.

Sinoptikanët kanë regjistruar më shumë se 265 milimetra shi në 24 orët e fundit (Lugina e sipërme e Bormidës) dhe mbi 100 milimetra midis Ovadës dhe Acqueses.

Përmbytje të shumta kanë ndodhur për shkak të përrenjve që kanë dalë nga shtrati. Janë raportuar gjithashtu rrëshqitje dheu dhe pemë të rrëzuara.

Mbrojtja Civile u kërkon banorëve të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm gjatë udhëtimit, veçanërisht në kalime dhe nënkalime, për shkak të rrezikut të rritjes së shpejtë të niveleve të ujit në orët në vijim.

Trafiku rrugor është gjithashtu i ndërprerë. Rruga nacionale 29 e Colle di Cadibona midis Savonës dhe Torinos është bllokuar dhe mbyllur përkohësisht për trafikun në të dy drejtimet në Piana Crixia (Savona) për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë alarmit portokalli për stuhi të lëshuar nga agjencia Arpal në Liguria.

Mediat italiane raportojnë se dhjetëra shkolla janë mbyllur dhe qarkullimi i trenave në linjën Savona-Torino e Savona-Alessandria, është pezulluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë