Gazeta Si – Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit, kanë krijuar situatë problematike në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe në Himarë.
Sipas informacioneve, situata më e rënduar është shfaqur këtë të premte, në rrugët pranë Stadiumit “Niko Dovana”, si dhe në disa segmente të tjera, përfshirë shëtitoren “Taulantia”.
Mësohet se niveli i ujit ka kaluar mbi trotuare, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Pas ndërprerjes së reshjeve, uji është tërhequr gradualisht, por sipas autoriteteve, reshjet me intensitet të parashikuar në orët në vijim mund të krijojnë sërish problematika të ngjashme, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Më herët mëngjesin e sotëm, Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se qytetarët mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut mesditën e kësaj të premteje, është përmbytur edhe një pjesë e shëtitores “Spile” në Himarë.
Ujërat e shiut që vijnë nga pjesa kodrinore, kalojnë në kanalin kullues, i cili nuk po përballon dot prurjet e larta.

Kjo gjë më pas ka bërë që ujërat që vijnë nga ky kanal të dalin mbi shëtitore duke përmbytur një pjesë të saj.
Sipas burimeve, përveë disa rrugë periferike, uji ka depërtuar edhe në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë.
Në katin e parë të këtij institucioni ka hyrë ujë, ndërkohë që punonjësit e policisë, kanë ndërhyrë menjëherë duke ngritur pajisjet nga toka për t’i shpëtuar nga dëmtimi. Situata vijon të mbetet problematike, pasi reshjet kanë qenë intensive dhe të pandërprera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



