Gazeta Si – Jo vetëm Kombëtarja A kryeson grupin. Edhe Kombëtarja U-21 i ka nisur shumë mirë kualifikueset e Europianit, me 2 fitore që e mbajnë në vend të parë. Të martën në mbrëmje kuqezinjtë e vegjël bënë një ndeshje të madhe, duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2.
Trajneri Alban Bushi e ka vlerësuar si një ‘fitore burrash’ dhe ka komplimentuar lojtarët për atë çfarë dhanë në fushë dhe mbi të gjitha për karakterin.
“Dua të falënderoj çunat, sepse ishte një fitore fantastike, një fitore karakteri, një fitore burrash në kuptimin e plotë të fjalës. Pas 0-2 me këtë ekip që ishte shumë kualitativ, çunat i kanë bërë të gjitha detyrat siç duhet. Vinim nga një transfertë shumë e vështirë si ajo e Armenisë, ishim të lodhur dhe çunat kishin pak kohë që stërviteshin me njëri-tjetrin.
U thashë përpara ndeshjes që çdo gjë mund të arrihet, nëse ne luftojmë dhe sakrifikojmë. U dhashë dhe shembullin e ekipit kombëtar A se si fitoi me Poloninë. Dua t’i falënderoj nga zemra.
Kishin një avantazh rumunët, që nuk kishin bërë asnjë ndeshje. Sepse ishin finalistë në Europianin e kësaj grupmoshe dhe kishin 10 ditë stërvitje për këtë ndeshje. Në pjesën e dytë morëm zemër dhe goli i parë ndikoi shumë, si edhe freskia e fushës me lojtarët e rinj. Rumania mendoi se e fitoi ndeshjen pas 0-2, mund të ketë qenë edhe neglizhencë e tyre, por edhe forca jonë ishte shumë e madhe.
Pajaziti u kontrollua te doktori i ekipit A, i cili na tha që ai mund të luajë vetëm 60 minuta dhe jo më shumë, pasi mund të bëjë tërheqje. E falënderoj nga zemra, pasi erdhi në Armeni me ne. Doktori i Fulhemit tha që duhet të jetë i kujdesshëm, ai na dha golin e fitores, nuk u dorëzua. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, si gjithë lojtarët e tjerë”, – tha mes të tjerash trajneri Bushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.