Gazeta Si – Një përmbarues privat në Tiranë, Fatos Alimadhi, 54 vjeç, është arrestuar për shpërdorim detyre, ndërsa dy kolegë të tij janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Alimadhi akuzohet se në detyrën e tij si përmbarues privat ka vendosur bllokimin e llogarive bankare pa njoftuar më parë poseduesit e këtyre llogarive.
Mësohet se një qytetar kishte marrë kredi në emër të një subjekti dhe pas disa kohësh kishte ndërruar jetë.
Por sipas dokumenteve të nënshkruara, kredinë e mbulonte siguracioni i jetës. Ndërsa përmbaruesi privat kishte bllokuar llogaritë e familjarëve të të ndjerit pa i njoftuar.
Bashkë me përmbaruesin privat Fatos Alimadhi, u proceduan penalisht edhe dy përmbaruesit e tjerë privat S.D. dhe P.Q., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Përmbaruesi privat Fatos Alimadhi është arrestuar edhe më parë nën akuzat për mashtrim me qytetarët. Në vitin 2015, Prokuroria e Tiranës dërgoi dosjen për gjykim ndaj 54-vjeçarit, duke e akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda, duke përvetësuar 4.5 milionë lekë të reja nga disa qytetarë që kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.
Fatos Alimadhi është arrestuar edhe në 2018-ën, pasi duke shpërdoruar detyrën ka përfituar nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti. Duke e shitur disa herë më lirë nga sa e parashikonte ligji. Përmbaruesi Alimadhi në atë kohë iu shmangur hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




