Futboll

Përleshjet e tifozëve në Sevilje, një mesazh edhe për Tiranën

Gazeta Si – Entuziazmi për finalen e Ligës së Konferencës është i madh në Shqipëri. Për herë të parë në Tiranë luhet një ndeshje e këtyre përmasave, që do të jetë edhe një reklamë e madhe për vendin tonë. Por duhet kujdes për të shmangur përleshjet e tifozëve.

Foto ilustruese. Baneri i finales se Liges se Konferences. Gazeta Si, 19 maj 2022

Duhet shumë punë për ta përballuar këtë ndeshje. Duhet një organizim sa më i mirë, sepse më 25 maj në Tiranë parashikohet të vijnë rreth 90 mijë tifozë të huaj.

Dhe bëhet fjalë për tifozë, jo për turistë të thjeshtë. Janë tifozë ultras kryesisht, dhe mes tyre mund të ketë edhe huliganë. Çështja e sigurisë është parësore në këtë rast, UEFA jo më kot ka bërë trajnime të ndryshme gjatë kësaj periudhe edhe me policinë e shtetit.

Në qytetin e Sevlijes në Spanjë, ku mbrëmë u luajt finalja e Ligës së Europës, u dha një mesazh i qartë edhe për Tiranën. Para ndeshjes Eintraht Frankfurt-Gllasgou Rejnxhërs pati përleshje tifozësh dhe akte dhune.

Pamje shumë të shëmtuara, që në Tiranë duhen shmangur. Duhen evituar përleshjet e tifozëve italianë dhe holandezë.

Nuk do të jetë aspak e lehtë, aq më tepër që policia jonë nuk është përballur kurrë më parë me një situatë të tillë. Qeveria vendosi së fundi ta bëjë ditë pushimi për institucionet 25 majin dhe të ndalojë makinat, por sigurisht që kjo nuk mjafton.

Nëse me organizmin në “Air Albania” po merret vetë UEFA, për sigurinë në kryqytet duhet të kujdesen organet kompetente. Një vend i zhvilluar si Spanja e dha një mesazh të qartë. Tifozët është e vështirë të menaxhohen, aq më tepër në turma të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë