Ana e errët

Përleshje si ‘të fortët’ me fjalë banale, thika dhe doreza grushti mes vajzave në Tiranë

Mbajtja e armëve të ftohta apo mjeteve të forta në makinë, nuk është vetëm një dukuri që ka të bëjë me djemtë, të cilët shpesh përpiqen t’i zgjidhin konfliktet në pjesën më të madhe të rasteve duke përdorur dhunë.

Në sherre të tilla po përfshihen edhe vajzat, të cilat edhe pa pasur mosmarrëveshje, nxitojnë të sillen në mënyrë “burrërore”, duke hapur “krahun e makinës” për t’u sqaruar.

Një histori e ngjashme ka ndodhur edhe në kryeqytet, e cila ka precepituar në dhunë mes dy grupe vajzash, ku njëra prej tyre u arrestua me akuzën e mbajtjes së armëve të ftohta në makinë për një dorezë grushti.

E reja, me inicialet, A.H., e moshës 20 vjeçe, akuzohet nga komisariati numër tre, sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, për prodhim dhe mbajtje armësh të ftohta dhe dëmtime me dashje. Gjithsej, në polici në të vërtetë përfunduan pesë vajza, që u shoqëruan në flagrancë pranë rrugës “Mine Peza”,  pasi sipas burimeve policore të Gazetasi.al, ato u konfliktuan me njëra-tjetrën.

Për këtë ngjarje, kanë dhënë deklarimet secila prej tyre, që të gjitha me banim në Kamëz. E reja nga Mirdita, i thotë policisë se ishte duke kaluar me makinë me shoqet e saj, kur është shkëmbyer me një makinë tjetër brenda të cilës gjendeshin shoferja dhe pasagjeret, edhe ato të të njëjtës gjini.

Këto vajza, kanë ndaluar dhe me muzikë të lartë kanë nisur të kërcejnë, thotë K.T., dhe në një moment, “njëra prej tyre më pyeti: pse sheh të q… njerëzit e shtëpisë”. E reja tregon se të panjohurat e kanë urdhëruar madje të hapë krahun dhe pasi denoncuesja ka ndaluar, ka zbritur nga mjeti së bashku me vajzat e tjera.

Asnjëra prej tyre nuk njihej me njëra-tjetrën dhe sipas burimeve, të rejat më e madhja e moshës 25 vjeçe, kanë nisur të grushtohen dhe të kapen për flokësh. Më e madhja prej tyre, ka marrë rolin e paqësueses dhe negociatores, por çdo fjalë e përpjekje e saj ka rezultuar e kotë – përmend policia për Gazetasi.al.

Megjithatë, policia ka pyetur vajzat nëse kishin një konflikt apo mosmarrëveshje më herët dhe njëra prej tyre është kujtuar se ishin shkëmbyer së bashku në një parukeri. “Por jemi fytyra të para, nuk njihemi dhe as kemi mosmarrëveshje”, – përmend e reja.

Vajza e dytë tregon se kur e shanë nga njerëzit e shtëpisë, ndaloi dhe i kërkoi llogari vajzës së panjohur. “Në këtë moment K., filloi të na shajë dhe na goditi me grushte, hyra në makinë dhe mora një mjet që e përdor për stërvitje në palestër, por K., ma mori nga dora e më qëlloi”, – rrëfehet e reja tjetër sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al.

Policia shton se pasi i ka shoqëruar të gjitha dhe ka pritur derisa ka mbërritur një efektive femër për t’i kontrolluar, në çantën e njërës prej tyre, zbuloi një dorezë hekuri që është e ndaluar me ligj.

“Ma ka bërë dhuratë një miku im këtë dorezë, ai nuk jeton më dhe e mbaj kujtim prej tij kudo, sepse është i vetmi kujtim që më ka mbetur”, – u justifikua  e reja, që pavarësisht kësaj deklarate u arrestua.

Të rejat që po kërcenin në rrugë, pretendojnë se ishin në humor të mirë, pasi po shijonin jetën. A.T., tregon sipas burimeve policore. “Pasi pimë kafe, dolëm xhiro dhe shoqja më pyeti, a do hanim një sufllaqe apo picë. Po shikoja, kur duke kërcyer, kaluan disa vajza që kujtuan se po i shaja dhe më shanë dhe ato”, – rrëfen vajza tjetër.

Edhe ajo kujton se u përfshi në përleshje, duke hapur menjëherë krahun e makinës dhe se si njëra prej tyre kishte një shkop të zi.

“U kapëm me grushte, u qëlluam me shkopinj dhe nuk mbaj mend çfarë bëmë tjetër, por një bionde me flokë të shkurtra, më qëlloi me grusht në kokë”, – rrëfen e dëmtuara.

Policia i thotë Gazetasi.al, se po merr dëshmitë e të gjitha vajzave dhe ende nuk ka siguruar një përgjigje të saktë. A njiheshin apo jo, dy grupet e vajzave me njëra-tjetrën më herët?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë