Ngjarje

Përkujtohet 80-vjetori i Çlirimit, lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e Shqipërisë

Shqipëria përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi luftë të armatosur, të organizuar kundër okupimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Kjo datë, u sanksionua e u skalit edhe si data e Çlirimit të Shqipërisë.

Në këtë mënyrë do të mbyllej njëherë e gjithmonë lufta epike nacionalçlirimtare e popullit shqiptar.

Disa nga rëndësitë thelbësore të kësaj lufte, ishin largimi i pushtuesve italianë dhe gjermanë, shkëputja e Shqipërisë nga blloku nazifashist dhe ripohimi i integritetit territorial të vendit, i cili prej kohësh ishte parë si objekt copëtimi nga Fuqitë e Mëdha dhe vendet fqinje.

Një ndër veçantitë e çlirimit është se Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkan i çliruar me forcat e veta dhe pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe apo të forcave të koalicionit antifashist.

Gjithashtu, kjo luftë ishte lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e popullit shqiptar, si për sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën atë, edhe për sa i përket gjithëpërfshirjes territoriale të Shqipërisë.

Nga jugu në veri, thuajse të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë u mobilizuan duke dhënë mbështetjen e tyre në luftën kundër fuqive pushtuese.

Në këtë mënyrë Shqipëria u bë pjesë e koalicionit fitues antifashist. Si vend anëtar i NATO-s, ajo i ruan dhe i çon përpara vlerat e lirisë e demokracisë edhe sot, duke u radhitur përkrah vendeve demokratike e paqedashëse, e duke dhënë kontributin e saj për ruajtjen e paqes në botë./ATA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë