Politike

Përkujtohen 4 viktimat e 21 janarit / PS dhe familjarët kryejnë homazhe në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, mungon Rama (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Janë zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, homazhet për 4 viktimat e 21 Janarit.

Familjarët e 4 viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, kanë vendosur karafila të kuq në vendet ku u qëlluan për vdekje. Së bashku me familjarët e të ndjerëve ishin dhe përfaqësues të qeverisë dhe Partisë Socialiste, e cila në atë kohë ishte në opozitë.

Kreu i qeverisë Edi Rama nuk ishte i pranishëm në homazhe për shkak se ndodhet në Davos të Zvicrës. Më herët ai reagoi në një postim në Facebook, ku shkroi: “21 Janar ‘Drejtësia vonon po nuk harron'”.

Sot bëhen 14 vite nga vrasja e katër protestuesve, të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-s kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha.

Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën dëshmorë të atdheut.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë