Ngjarje

Përkeqësim në lirinë e shtypit, Rama: Qeveria e gatshme të marrë përgjegjësitë

Reagimi i tij erdhi pas publikimit të raportit të Organizatës “Reporterët Pa Kufij”, ku Shqipëria është renditur të fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian.

Qeveria është “e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, shkruan kryeministri Edi Rama në median sociale X.

Reagimi i tij erdhi pas publikimit të raportit të Organizatës “Reporterët Pa Kufij”, ku Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit në krahasim me vitin e kaluar dhe e ka renditur të fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Evropian.

Sipas raportit, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike.

“Raportin do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik… për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve”, shkruan Rama.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-a.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.

Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë