Politike

Përjashtimi i Berishës nga Kuvendi/ Gjekmarkaj në Konferencën e Kryetarëve: Keni frikë!

Nga Gazeta ‘Si’- Në Konferencën e Kryetarëve është diskutuar për përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj thotë se mazhoranca ka frikë nga fjala e Sali Berishes.

Gjekmarkaj u shpreh se me përjashtimin e Sali Berishës është krijuar një rast i paprecedentë, ndërsa me ironi ka deklaruar se “Berisha flet jashtë, ndërsa ju e përjashtoni brenda”.

“Keni krijuar një rast të paprecedentë. Njeriu flet jashtë dhe ju e përjashtoni brenda. Njeriu flet në mëngjes dhe Toni Gogu nxehet në darkë. Ju kërkoni t’i shmangni debatit. Ju keni frikë nga fjala e Sali Berishës dhe nga të vërtetat që ai thotë! Po e trajtoni Kuvendin si bahçe personale! Edhe një kovaçhane punon mbi rregulla, ndërsa ju si treshe e keni marrë peng! Keni koncepte shërbëtorësh, jo ligjvënësish! PD dhe Sali Berisha janë këtu që liritë dhe e vërteta të mbrohen, dhe ne do t’i mbrojmë”, ka deklaruar Gjekmarkaj.

Ndërkohë debate janë zhvilluar edhe për paketën fiskale.

Gjatë debateve me dyer të mbyllura, Bardhi u shpreh se ‘Ministri i Financave duhej ta kishte prezantuar këtu, dhe ne si Konferencë duhej të kishim miratuar një kalendar për shqyrtimin e kësaj pakete’.

Ai theksoi se mazhoranca nuk ka ndërmend të respektojë rregulloren dhe Kushtetutën.

“Na keni njoftuar se ka ardhur Paketa Fiskale. Ju kujtoj se duhej të kishte ardhur bashkë me buxhetin, por përtej kësaj duhet ndjekur e njëjta procedurë si me buxhetin. Ministri i Financave duhej ta kishte prezantuar këtu, dhe ne si Konferencë duhej të kishim miratuar një kalendar për shqyrtimin e kësaj pakete. Me sa shoh nuk keni ndërmend te respektoni rregulloren dhe kushtetutën”, është shprehur Gazment Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë