Futboll

Perisiç drejt largimit, Inter shikon nga dy talentet

Nuk është më “Ivani i tmerrshëm” që frikësonte çdo ekip kundërshtar sa herë që dilte në anësore. Ivan Perisiç këtë sezon nuk ka mundur dot të jetë në formën e tij më të mirë dhe kjo gjë ka ndikuar jo pak te Interi. Kroati vetëm pak ditë më parë e shprehu hapur dëshirën e tij për t’u larguar nga Milano. Ai tha se i vjen keq për tifozët, por duhet të largohet pasi i pëlqen shumë kampionati Anglez. Në këtë kampionat në fakt nuk janë të paktë adhuruesit e kroatit, duke filluar që nga Manchester United dhe deri te Arsenal.

I gjendur në këtë situatë, Inter po mendon për ta zëvendësuar denjësisht Perisiç, pasi si Keita Balde dhe Politiano nuk japin shumë garanci. Janë disa emrat që Inter po mendon për në merkato, por drejtuesit zikaltër po shqyrtojnë edhe “aset nën mëngë”. Bëhet fjalë për dy talente që Inter tashmë i ka në gjirin e tij dhe mbase ka ardhur koha që t’ju besojë pak më shumë. Argjentinasi Lautaro Martinez dhe braziliani Gabriel Barbosa. I pari është duke bërë mirë në debutimin e tij në Serie, ndërsa braziliani duket se është rilindur në Brazil te Santosi.

Lautaro Martinez i ka provuar këtë sezon Spaletit se çdo herë që i ka besuar ka bërë shumë mirë. Dy gola dhe një asistim në aq pak ndeshje që ai ka bërë janë tregues të një lojtari që nëse merr më shumë besim, mund të bëjë më mirë. Lautaro Martinez mund ta zëvendësojë Perisiç edhe pse pozicioni i tij i preferuar është pas sulmuesit kryesor.

Ndërsa diskutimi për Gabigol është pak më i ndryshëm. Ai zbarkoi në Milano dy vite më parë më shumë pritshmëri, por nuk e dha dot atë që pritej. Tashmë ai do të rikthehet në Milano në janar, pasi i përfundon afati i huazimit në Brazil. Në pamje të parë duket shumë e vështirë që Inter ta mbajë atë në Milano, por duke parë një largim të mundshëm të Perisiç, ku i dihet, mbase ka ardhur koha që Gabriel Barbosa të shpërblejë të gjithë pritshmëritë ndaj tij dhe paratë e shpenzuara nga Inter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë