Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) njoftoi sot për zgjerimin e hartës të zonave të prekura nga murtaja tek bagëtitë e imta, në Shqipëri.
Në një njoftim për mediet, AKVMB bën të ditur se, deri më tani janë identifikuar zyrtarisht 7 ferma pozitive në 5 vatra shpërthimi. Gjithsej 882 krerë janë të prekur, të cilët po asgjësohen sipas protokolleve për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
AKVMB ka marrë masa për ndalimin e tregtimit të kafshëve të gjalla në këto zona, ndalimin e lëvizjes së kafshëve ndërsa i bën apel fermerëve të njoftojnë veterineret për çdo shqetësim që paraqesin kafshët në fermat e tyre blegtorale.

“Ky është një hap jetik për mbrojtjen e tufave dhe për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse dhe shkatërruese për blegtorinë”, thekson AKVMB.
AKVMB njofton se, veterinerët janë në terren, në gatishmëri të plotë dhe përkrah fermerëve për marrjen e mostrave për analizë dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të kafshëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.