Treg

Ulet me 50% konsumi i kafesë ekspres, rritet kërkesa për kafe turke

Sabina Veizaj – Në ditët e para të karantinës, kur nuk arrinim t’u besonim dot syve dhe veshëve që nuk do të çucurisnim më lokaleve teksa merrnim rrezet e para të diellit të pranverës, duke gjerbur kafenë e parë, të dytën dhe shumë syresh edhe të tretën e të katërtën; një mikesha ime brofi nga gëzimi dhe më tha në telefon se e kishte gjetur zgjidhjen e kafesë jashtë shtëpisë.

“Bashkia ka vendosur një makinetë mes Muzeut Kombëtar dhe Piacës, kafeja është e mirë dhe kushton 70 lekë. E mora një sot, u ula tek shkallët e muzeut dhe tymosa dy cigare”, do të më thoshte ajo me shpresën se do të vijonte përgjatë të gjithë emergjencës ta kënaqte veten me këtë rutinë të vockël.

Por më vonë, masat u shtrënguan dhe dalja edhe për të u bë e pakëndshme në këtë situatë ku Tirana kishte veshur mantelin e të shkretës dhe vendosi të shijonte gjerbjen e kafesë turke në shtëpi sëbashku me cigaren në dritare a ballkon sipas rastit.

Kanë kaluar 34 ditë që kur baret dhe restorantet u mbyllën krejt.

Por tek kam dalë për të vëzhguar nëpër rrugët e kryeqytetit sjelljen e njerëzve nën izolim, kam vënë re një kokfortësi ndaj zakoneve të së përditshmes, që sigurisht e pohuar edhe nga psikologët, janë shumë të vështira për tu riformatuar,( pra adaptimi i zakoneve  të reja).

Pavarësisht se jo të lejuara, pastiçeri të ndryshme, apo edhe furra buke, duke vërejtur kërkesën për kafe eskpresi në ditët kur lokalet dhe restorantet janë mbylllur që prej 13 marsit, janë pajisur me makineta kafeje ekspresi dhe e ofrojnë këtë produkt, të cilin, njerëzit e blejnë dhe e pinë më këmbë të shoqëruar nga miq në anë të rrugës, apo në karriket e shkreta të bareve  të kyçur.

Të tjerët e bëjnë në shtëpi dhe dalin në stolat e lagjeve, apo ecin për pak bisedë me miq e të njohur, jo në grupe të mëdha, po dyshe-treshe, herë duke ruajtur distancën fizike, e herë jo.

Por pavarësisht përpjekjeve të shqiptarëve për të gjetur shtigje që të mos largohen nga rutina e përditshme përpara 13 marsit, nuk po konsumojnë kafe ashtu si më parë.

Tregu i kafesë ekspres është shumë në vështirësi. Këtë e konfirmojnë aktorët e këtij tregu, të cilët i thanë gazetës “Si” se konsumi ka rënë në 50%, pavarësisht orientimit të tregut tek familjet.

Juxhin Balliu, zotëruesi i zinxhirt Mon Cheri konfirmon se tregu i kafesë ekspres nuk ka qenë ndonjëherë në një vështirësi të tillë.

“Ne jemi përshtatur aktualisht me kërkesat e tregut pasi ka pllakosur pandemia. ¼ e stafit e kemi në punë full time, ¼ në pritje për nevoja shtesë që mund të dalin dhe 50% janë hequr nga listpagesat. Ka rënë kërkesa, qarkullimi e si rrjedhojë edhe të ardhurat dhe ne kemi zvogëluar kostot.”- shprehet ai për gazetën “Si”.

Ai mendon që jo vetëm në në afatshkurtër, por edhe në afatgjatë tregu i kafesë do të riformatohet dhe do të vuajë humbjen prej 30% të tij.

Balliu shpjegon se konsumi aktualisht ka rënë në më shumë se 50% dhe tregu është orientuar tek familjet të cilat përpos kafesë turke po preferojnë edhe mokën dhe kapsulat, por që nuk e zëvendëson asnjëherë konsumin e bareve dhe restoranteve.

Taned Bllaku nga Lori Caffe tregon se tregu i kafesë ka dëshmuar kohët e fundit një rënie të stokut si pasojë e koronavirusit dhe masat e ndërrmara prej saj, e cila ka rezultuar në rritje të çmimit të kafesë në bursë.

Kjo, sqaron Bllaku për gazetën “Si”, ka ndikuar ndjeshëm në likuiditetin e kompanive të ndryshme të import/eksportit të kafes jeshile, por edhe atyre te pjekjes dhe shpërndarjes së saj.

“Valtelina sh.p.k (Lori Caffe) ka siguruar vazhdimësine e prodhimit duke krijuar stok të lëndës së parë për një periudhë 30 ditore në rast se zinxhirët e furnizimit do të ndërpriten në këtë kohë emergjence. Pjesa dërrmuese e klientelës së kafes Ekspres janë baret dhe restorantet, të cilët mundësojnë pjesën kryesore të shitjeve/të ardhurave dhe rrjedhimisht ka një impakt goxha të lartë në strukturat financiare të kompanisë.”- shprehet ai.

Strategjitë që ka ndjekur kompania në këtë kohë emergjence për të kompensuar humbjet dhe për të mundësuar një rimëkëmbje sa më të lehtë janë:

1) Home Delivery të kafes Turke dhe të asaj me bustina, bashkëngjitur me një larmi ofertash, të cilat stimulojnë konsumatorin të blejnë kafen.

2) Mbikëqyrje e vazhdueshme dhe intensive e distributorëve në të gjitha qarqet e vendit për të siguruar disponibilitetin e produkteve në markete/supermarkete që kompania ka hedhur në treg.

3) Gjithashtu kompania ka investuar në këtë periudhë në një sektor shumë te rëndësishëm, si ajo e Marketingut, e cila ka dhënë një rezultat shumë pozitiv. 

Bllaku thotë se Valtelina sh.p.k (Lori Caffe), falë strategjive të aplikuara dhe cilësisë premium të produkteve të saj po bën të pamundurën për të minimizuar humbjet.

“Padyshim që kjo është një periudhë e vështirë për të gjithë ne siç e thashë dhe më sipër, por duke marrë parasysh që kafeja është një ndër pijet më të konsumuara në vëndin tonë, besoj që qytetarët e këtij vëndi do të kenë një qasje akoma dhe më të lartë ndaj këtij produkti.”- thekson një nga drejtuesit e Lori Caffe, Bllaku.

Por në këtë sektor ka edhe kompani të cilat janë dëmtuar tërësisht duke mos patur fare punë, siç janë ato që u ofrojnë shërbime teknike kompanive të kafeve, këto të fundit, të ndodhura në situatë krize duke minimizuar kostot, nuk i qasen fare shërbimeve teknike.

Një nga këto kompani që ka 9 punëtorë, aktualisht po paguan nga fondet e veta përpos detyrimeve  të shtetit, edhe pagat e punonjësve.

“Me shpresën që do të përfitojmë nga paketa e dytë mbështetëse e qeverisë, sepse jemi shumë në  vështirësi. Që  nga  13 marsi nuk kemi asnjë arkëtim. Por punonjësit nuk mund t’i largojë nga listpagesat. Siç jemi në të mirë bashkë, do të jemi edhe  në të keq” – u shpreh sipërmarrësi i asaj kompanie.

Por ajo që  vihet re, mbi të gjitha nga aktorët e tregut të kafesë, është se konsumi i kafesë  turke është rritur dhe tregu po e favorizon.

“Ka kafene lagjesh në skuta pallatesh që vazhdojnë të jenë hapur të cilat ofrojnë kafe turke, po ashtu edhe njerëzit që janë në shtëpi konsumojnë më shumë se më parë kafe turke. Këtë e vë re edhe nga kërkesa për xhezve elektrike për kafe turke. Kurse kafeja ekspres është në vështirësi. Importi ka rënë sepse 70% e kërkesave vinte nga bizneset bare-restorante, rrjedhimisht konsumi ka rënë në më shumë se 50%. Sado të jetë rritur kërkesa në familje, apo e pastiçerive që bëjnë  kafe ekspres, është e papërfillshme”- thotë një përfaqësues nga një kompani e njohur kafeje në kryeqytet.

Por ai e sheh me optimizëm situatën në afatmesëm dhe afatgjatë pasi të çlirohemi nga izolimi sepse sipas tij askush nuk heq dorë nga kafeja dhe është një produkt që do ta marrë veten shpejt, por ajo që qeveria duhet të shohë në vazhdim, thotë ai, është të heqë akcizën siç e kanë bërë shumë vende në Europë dhe në botë, pasi kafeja nuk është mall luksi, por një produkt me përdorim shumë të gjerë.

Teksa mbanim rekord për numër baresh e restorantesh duke ngritur flamurin edhe më lart se ai i Spanjës që është një nga vendet më të lakmuara turistike në Europë, shqiptarëve për bela u është dashur të përshtasin jetën aktive që kalonin në  bare e restorante, me filxhanët e vegjël, apo gotat e mëdha të kafesë të bëra në shtëpi për një muaj deri tani.

Por që kjo nuk ka ndihmuar që të mos fusë në krizë tregun e kafesë.

Të dhënat e doganave shqiptare tregojnë se në 2020-ën janar-11 prill janë importuar 21 87 ton kafe, teksa gjatë 2019-ës 8618 ton dhe në vitin 2018 u importuan 9334 ton kafe.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2018 një shqiptar konsumoi mesatarisht 2.5 kg kafe, duke shënuar rritje në raport me vitin parardhës ose deri në 375filxhan kafe në vit.

Por, kur përllogaritet konsumi i kafesë për frymë merret në total e gjithë popullsia, por duke marrë në konsideratë se fëmijët nuk konsumojnë kafe, konsumi te të rriturit mund të jetë edhe më i lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë