Ana e errët

Përgjimet- Si Endrit Dokle udhëzonte trafikun e heroinës nga burgu

Gazeta “Si” vazhdon të zbardhë dosjen ekskluzive se si Endrit Dokle u shpall fajtor për trafik droge, një trafik që ai e drejtonte nga paraburgimi 313, sa kohë mbahej aty për llogari të megaprocesit të bandës së Durrësit. Ai u gjykua së bashku me Izet Krasniqin nga Kosova për akuzat e trafikut të kryer në bashkëpunim në dy episode dhe grup i strukturuar kriminal.

Hetimi nisi dy vjet, pasi Endrit Dokle ra në prangat e policisë. Trafiku është zhvilluar nga gushti 2008 deri në prill 2009, ku siç rezulton nga dosja që gazeta “Si” disponon, Dokle komandonte përmes telefonit ushtarët, të cilët kanë transportuar heroinë nga Shqipëria drejt Italisë në bashkëpunim me Izet Krasniqin, Isuf Bunën që ka në përgjime nofkën Lali dhe Lalushi, Shefqet Vatën me nofkën Ceti dhe Jorid Xhunga me nofkën Ruci dhe Ridi kanë trafikuar 40 kilogramë heroinë. Hetimi u zhvillua në bashkëpunim me palën italiane që saktëson në dosjen që gazeta “Si” disponon se secili nga emrat e lartpërmendur ka marrë përsipër një rol konkret, ku kryesori rezulton Dokle që sipas akuzës dhe dosjes që gazeta “Si” disponon ka bashkërenduar me telefon burgu veprimet e katër të tjerëve. Lali dhe Ceti kanë siguruar gjetjen e drogës, Izet Krasniqi ka kryer transportin, ndërsa Ruci ka pritur ngarkesën për të shpërndarë dhe shitur në Itali.

Pala italiane thotë për gazetën “Si” në dosje se në Itali në funksion të këtij hetimi u arrestuan Ervin Bakri, Flameng Kërtusha dhe Fisnik Mece, pasi në automjetin e tyre u gjetën 14 kilogramë heroinë. Nga këqyrja e telefonave të tyre u zbuluan edhe dy numra të tjerë mes tyre numri 0693551698, që sipas një letërporosie urgjente të nisur nga italianët rezultoi me qelizë në paraburgimin 313 dhe përdorej nga Endrit Dokle.

Shqipëria nga përgjimet e urdhëruara që duheshin kryer zbuloi se veç këtij numri nën hundën e autoriteteve të burgjeve, Dokle posedonte edhe numra të tjerë, me të cilët kryente porositë kriminale. Por, për ketë hetim italianët ia dolën mbanë të bëjnë bashkëpunëtor të drejtësisë, Mixhele Greko, i cili pasi ka marrë statusin e të penduarit ka treguar se si funksiononte rrjeti i shpërndarjes së heroinës ku ishin të përfshirë edhe boshnjakë.

Greko deklaron: Kreva transportin e drogës nga Bosnja në Itali, të cilën e mora nga Sead CUFURVIC. Në këtë rast drogën e dorëzova te Bakri, ndërkohë që ai kishte si shpërndarës persona të tjerë të gjetur nga Endrit Dokle. Në kontakt me boshnjakun më vendosi Izet Krasniqi.

Në dosjen ekskluzive thuhet se Buna komunikon shpesh me Doklen, ndërsa ky i fundit shfaqet i shqetësuar për vonesat e shpërndarjes së heroinës në Itali. Në datën 3 shtator 2008 regjistrohet telefonata mes Dokles dhe S. Xhungës, kushëri i parë i Rucit, pra i Jorid Xhungës, i njohur ndryshe si Sergio.

Endriti: Po mirë thuaji të foli një herë andej, ke fol andej ti o burrë?

Xhunga: Ku?

Endriti: Andej

Xhunga: ëë .. jo, s’kam fol për Zotin

Endriti: u Sergio po shife, janë tu na zënë derën burrat e huaj

Sergio: Çfarë ke bërë ndonjë gjë lale

Endriti: Pse ndërron muhabet? Duan lekë burrat e huaj, unë jam tu prit juve, juve prite prite Skënderbenë juve

Sergio: Aman o burrë, unë jam këtej, sikur s’du unë o burrë

Endriti: Epo mirë duhet sqaruar një cikë se më ra gjithë barra mua në kurriz tashti, foli një cikë edhe atij Ridit, dëgjo vëllain tat se është tu u bë mirë për kokën tate, se është tu na ik prej duarsh, është tu na ik

Prokuroria thotë në dosjen që gazeta “Si” disponon se menjëherë pas kësaj telefonate ku kuptohet që duhej shpejtuar procesi dhe nuk duhet të kishte vonesa, Endrit Dokle telefonon Isuf Bunën, ku edhe i shpjegohet ecuria e shpërndarjes së heroinës.

Buna: Hë lali

Endriti: E gjeta më në fund, e gjeta 

Buna: Jo ore, më thuaj ku?

Endriti: Fola me të, kishte lënë telefonin. Si e le o vlla telefonin në shtëpi i thashë, jo tha, sdojsha me fol me njeri, sot tha

Buna: ËËËË, ka pasur pesë mijë thirrjet e mia aty

Endrit: jo, sdojsha me fol tha

Buna: Dikush ka bërë diçka, ka të drejtë me u frik prej Shqipërie, kur s’ke bërë gjë dhe je i pastër, rri te shtëpia jote për qef, unë jam te shtëpia ime Indrit, a është kështu o lalush

Endriti: Nesër takoje dhe ndaji muhabetet me të

Gazeta “Si” do vazhdojë nesër me zbardhjen e përgjimeve ku Endrit Dokle deklaron “Kam me u … nënat të gjithëve .. ke për të parë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë