Kryeministri Edi Rama doli në konferencë për shtyp me temë bujqësinë, por përballë pyetjeve të gazetarëve foli gjatë edhe për përgjimet e anti-mafias italiane dhe akuzat e hedhura për përfshirjen e “Ndraghetas” në Shqipëri.
Ai i quajti “tymnaja të neveritshme të hedhura nga opozita dhe mediet, që sipas Ramës, citojnë në mënyrë selektive përfundimet e prokurorisë italiane. Sipas këtyre përfundimeve, Rama thotë se hetuesit italianë thonë se mafia italiane dështoi në përpjekjet e saj për zgjerimin e aktivitetit në Shqipëri.
“Nuk do të them për këtë duhet të flasë drejtësia, sepse në këtë rast ka folur qartësisht duke dhënë konkluzion ekipi italian he po ua lexoj për të thënë pse është turp për të gjithë ju që në vend te merreni me fakte, bëni dezinformim. Në konkluzion, citoj prokurorinë italiane, pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njeri-tjetrin për investimet që do të bëheshin në Shqipëri ata dështuan totalisht dhe i vetmi investim është një dyqan i vogël, që në vitin 2018, sipas bilanceve të publikuara në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”, tha Rama.
Kryeministri thotë se nuk ka asnjë provë dhe se përgjimet e anti-mafias italiane po përdoren për qëllime politike.
“Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave. Nuk e imagjinoj dot që të merret kohë nga koha e njerëzve për t’iu hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kuturbuese budallallëku dhe poshtërsie.. Është një mënyrë më e ulët se s’ka për të kërkuar avantazhe duke ‘ia bërë nënë këtij vendi’ përsëri, si gjithmonë”, deklaroi ai.
Në përgjimet e palës italiane përmendet edhe emri i Ilir Kullës, këshilltar i Presidentit Ilir Meta. Rama nënkuptoi se përmendja e emrit nuk e bën fajtor.
“Ju e dini se sa i gatshëm jam ta mbroj Metën aty ku nuk mbrohet, por nëse përmendet aty me emër dhe mbiemër, nëse këshilltari i tij që njihet si tregtar lajmesh të rreme, e provuar nga gjykata italiane për t’i bërë nënë vendit këtu, është aty, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata; po pastaj? Ata mund të kenë njohje direkte me ata njerëz, po pastaj? Prokuroria italiane e ka dhënë këtë konkluzion. Nuk ka fakte dhe as prova”, deklaroi ai.
Në “mbrojtje” mori edhe Bashën.
“Ai deputet dihet që është mik i Lulzim Bashës dhe PD dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë me të djathtën. Po pastaj?! Çfarë duhet të them unë që Lulzim Basha priste këta njerëz që i çonin mafiozët dhe u jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët?! S’e them dot kurrë!”, tha Rama.
Në lidhje me këto përgjime një mbrëmjen e së hënës ka reaguar edhe ambasada italiane në Shqipëri, duke bërë thirrje që çështja t’i lihet në dorë drejtësisë. SPAK nga ana tjetër ka deklaruar se po të hënën do të vihej në kontakt me autoritetet italiane për këtë çështje.
Fillesa e përgjimeve janë pas një operacioni të antimafias italiane, ku u ekzekutuan 50 masa ndalimi me akuzën për korrupsion dhe mashtrim në vlerën e 250 milionë eurove në kuadër të grupit mafioz “Ndrangheta”. Aksioni pasoi një periudhë disavjeçare përgjimesh, që datojnë prej 2016-ës. Mes përgjimeve janë edhe telefonatat mes disa të arrestuarve për investime në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.