Politike

Përgjimet, opozita: Rama mbron Dakon. Lleshaj: Prisni hetimet, jo prishje imazhi

Kuvendi si për rastësi nuk është mbledhur sot në seancë, duke shmangur kështu edhe debatet për 6 audiopërgjimet e bujshme të tabloidit “Bild” me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe me zyrtarë të tjerë lokalë të PS-së me të fortin e bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj.

Jehona e këtij lajmi të bujshëm të publikuar një ditë më parë nga prestigjiozja gjermane solli edhe sot përplasje me deklarata në distancë me demokratëve dhe socialistëve. Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetit Enkelejd Alibeaj u shpreh se Rama në vend të që të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit po mbron me forcë kryebashkiakun Vangjush Dako.
“Kur bëhet fjalë për pushtetin dhe mbajtjen e tij në çdo formë e me çdo mjet, Edi Rama, është krejt i parashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë. Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave. Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij”, deklaroi Alibeaj.

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj


Sipas tij, Rama do të kishte dhënë dorëheqjen me dhjetëra herë. “Do të kishte dhënë dorëheqjen, kur u faktuan akuzat e opozitës se: Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë; Edi Rama kishte future kriminelë në Parlament; Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ishte përdhunues dhe trafikant; Saimir Tahiri mbështeste trafikun e drogës; Vëllai trafikant i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj vazhdonte trafikun e drogës në Vlorë; Koncesionet gati 2 miliardë dollarë ishin të miqve dhe financuesve të Edi Ramës; Projekti i Unazës së Re ishte një skemë gjigande vjedhjeje përmes një kompanie fantazmë dhe shumë e shumë skandale e afera të tjera korruptive, që kanë zhvatur dhe varfëruar shqiptarët”, tha ai.


Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama deklaroi se zbardhja e të vërtetës përmes publikimit të disa përgjimeve që lidhen me atë që është njohur si dosja 339, në fakt është vetëm maja e ajsbergut të krimit shtetëror! “Kur duhej që Kryeministri i maxhorancës se krimit të jepte menjëherë dorëheqjen, ndërseu lukuninë e budallenjve të shfaqeshin se ishin të shqetësuar medemek, ngase nuk është ruajtur sekreti hetimor?! Ruajtja e sekreti hetimor është çështje e Prokurorisë, jo e deputeteve te maxhorancës!”, deklaroi Rama.
Ai kontestoi edhe urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e publikimit të përgjimeve të dosjes 339 në media, duke i ftuar shqiptarët që të protestojnë më 8 qershor.

Luan Rama, LSI


Për këtë skandal të përgjimeve të nxjerrë nga dosjet zyrtare të Prokurorisë ka reaguar deputeti Lefter Maliqi i cili me një qëndrim në rrjetet sociale kërkon shpërndarjen e menjëhershme të Parlamentit. “Parlamenti duhet të shpërndahet. Vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Përgjimi i shitblerjeve të votave, ndërhyrja e grupeve kriminale tregon se deputetët, drejtorët, kryetarët e Bashkive etj zgjidhen, vendosen dhe emërohen nga krimi. Çdo institucion ka rënë. Jemi në dorë të krimit, paaftëve, servilëve, oligarkëve. Shkaku është sistemi i kalbur elektoral, korrupsioni dhe krimi i organizuar”, shprehet Maliqi.

Deputeti i opozitës Lefter Maliqi


Ndërsa shton se e ardhmja e vendit është në rrezik, pasi shqiptarët janë të pasigurt nën kthetrat e krimit. “Shqiptarët të marrin në dorë o sot o kurrë fatet e vendit. Protesto fuqishëm kundër krimit të organizuar, mos u ndal për drejtësi, për votë të lirë, për të ardhmen e sigurt”.


Me herët nënkryetari Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili akuzon Prokuroren e Përgjithshme se po vepron me urdhër të kryeministrit Edi Rama duke bllokuar dy dosjet sensitive 339 dhe 184.
“Prokurorja e Përgjithshme për një vit e gjysmë nuk lëviz as gishtin për dosjen 339 dhe 184. Dosja 339 dhe 184 bllokohen me urdhër të kryeministrit, që e thërret Prokuroren e Përgjithshme në zyrën e tij sa herë do”, shkruan Vasili në Facebook.
Ndërsa zyrtari i LSI-së gjithashtu në reagimin e tij ka publikuar edhe një video të një pjese deklarate të kryeprokurores Arta Marku më 9 maj në “Top Channel”, ku shprehet se ka 700 CD të pa transkriptuara për dosjen e 339, si dhe shprehet se ka urdhëruar që të zbardhen sa më parë.
“E ka pranuar vetë publikisht prokurorja që asgjë nuk ka ndodhur me dosjen 339. Edi Rama duhet të ishte larguar qe dje, Prokurorja e përgjithshme sot. Këta pranojnë të jenë pecët e këmbëve të kriminelëve ndërsa populli kurrë. Ndaj të mos vonojnë më asnjë minutë, se populli tani i ka shumë të qarta gjerat….”, shkruan Vasili.
Opozita shqiptare ka kërkuar largimin e menjëhershëm të qeveria Rama për këtë skandal të publikuar nga “Bild”. Ndërsa mazhoranca nga ana e saj ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetimet për nxjerrjen e sekretit hetimor.

https://www.facebook.com/petritvasil/videos/453920348743153/

Lleshaj: Nuk e prish imazhin e Shqipërisë
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj sa i përket publikimeve të përgjimeve shprehet ato nuk e cënojnë imazhin e Shqipërisë. “ Nuk besoj se mund të cenohet imazhi i Shqipërisë, sepse Shqipëria është shumë më e madhe se sa rasti i shkëputur i një publikimi të një përgjimi të caktuar, këtë dua ta ndaj. Sigurisht që asnjë lajm sado i vogël të jetë që nuk është pozitiv nuk na pëlqen dhe s’i pëlqen askujt. Besoj se çështja ka nevojë që të merret me qetësinë e duhur pasi është një çështje që është në një proces hetimor, kjo është thjesht një rrjedhje e paautorizuar nga një proces hetimor në zhvillim dhe duhet të presim fundin nuk duhet të kërcejmë te konkluzionet sepse kam frikë se i bëjmë dëm gjithë procesit”, tha Lleshaj në një intervistë për Deutche Welle.


Sipas tij duhet pritur përfundimi i hetimeve dhe se përgjimet janë indicie dhe jo prova. “Ajo që është publikuar në median gjermane është për një pjesë të një dosje hetimore që po zhvillohet, pra bëhet fjalë për rastin konkret, përgjithësisht në të gjithë kuptimin e së drejtës përgjimet nuk janë provë, janë thjeshte indicie që të çojnë te prova dhe ne duhet të presim që rasti të sqarohet përfundimisht nga organet përkatëse ligjore, të cilat po hetojnë”, tha Lleshaj në Berlin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë