Drejtësia

Përgjimet në ‘Sky Ecc’, Altin Dumani: Po kërkojmë kode të tjera, nëse kemi prova godasim çdo politikan

Gazeta Si – I pyetur në lidhje me arrestimet e politikanëve, emrat e të cilëve mund të kenë dalë nga komunikimet në rrjetin “Sky ECC”, kreu i SPAK, Altin Dumani ka thënë se një prej tyre është në qeli referuar ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Au ka shtuar se nuk kanë në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, por në vijimësi do të kërkojnë kode të tjera në bazë të hetimeve që ata kanë.

“Nuk është e vërtetë që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e “Sky ECC”, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk na ka dalë lidhja direkte”, – tha ai në takimin informal me gzetarët.

Më tej, Dumani është shprehur se përpiqen që komunikimet në “Sky ECC” t’i lidhin me prova të tjera.

“Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektiv. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentet. Në përpiqemi që të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në “Sky ECC”, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kushdo person, e kemi prova do të marrim vendimet tona”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë