Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vendimin e nxjerrë nga Prokuroria për ndalimin e publikimit të materialeve të dosjes së famshme 339, ku përgjimet kanë nxjerrë biseda mes kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe të Astrit Avdylajt anëtar i bandës së Shijakut. Me anë të një reagimi për median kreu i shtetit shpreh shqetësimin e thellë për këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë.
“Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike”, thekson Meta.
Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se : 1.Liria e shprehjes është e garantuar.2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.
“Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur. Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale”, thuhet në reagimin zyrtar.
Gjithashtu kreu i shtetit kërkon sa më parë mbylljen e hetimeve për dosjen 339, duke deklaruar se inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike, por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm. Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë”, mbyll reagimin e tij Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




