Gazeta Si - Ishte ajo që mbante “Kutinë e Babagjyshit”. Një arkë e fshehur, ku kishte para dhe fletë të bandës së shpërndarëve të drogës.
Nga "këngëtarja më e famshme e shekullit në Shqipëri" në vitin 1999, me dy pjesëmarrje në Sanremo (2003 dhe 2007), deri te arrestimi për organizatë kriminale.
Kjo është parabola e Elsa Lilës, aktualisht në burgun e Rebibbia, e akuzuar për trafik droge në Itali.
Dyzet e një vjeçe, me origjinë nga Tirana, vajza e një ish-çifti muzikantësh të njohur në Tiranë, studente në Romë, yll i popit dhe tashmë në qeli.
Këngëtarja e njohur u arrestua mëngjesin e të mërkurës në shtëpinë e saj në San Lorenzo në Romë.
Tetë persona të tjerë përfunduan në qeli, ndërsa kreu i bandës shqiptare, Arindi Boci, i njohur si “Rindi” është shpallur në kërkim.
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë italiane, Elsa ishte kontabilistja e grupit. Media italiane “Corriere della Sera”, raporton se ajo nuk ka pasur kontakte direkte me lëndën narkotike (sidomos hashashin dhe marihuanë), por se menaxhonte takime të grupit në disa dhoma në një lokal në Acilia.
Hetuesit e konsiderojnë atë plotësisht "një pjesëmarrëse në organizatë" dhe një "person të besuar" të Bocit, të cilit i ofron shtëpinë e saj në verën e vitit 2019 për t'u fshehur nga policia ("Shko, fshihu atje, ndërro vendin "), dhe me të cilin rrëfen se nuk ka frikë nga policia në rast kontrolli, "por nga hajdutët", të cilët mund t’i kishin vjedhur "Kutinë" me paratë që u përdorën edhe për ndihmën juridike të bashkëpunëtorëve të arrestuar.
Në përgjimet italiane, del se anëtarë të grupit përdornin celularë të koduar për të mos u dëgjuar.
Aq sa njëri prej tyre, duke i besuar një bashkëpunëtori, pohon: “Nëse do të hapen këta celularë, do të bëjnë një burg të ri në Romë!”.
E pikërisht për policinë dhe mundësinë e ryshfetit, këngëtarja i ka të qarta idetë: “Askush nga shteti nuk vjen të më kontrollojë, më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera”.
Elsa Lila është përgjuar në një bisedë me shefin e organizatës, me të cilin fliste për ryshfet dhe korruptimin e zyrtarëve.
“Askush nga shteti nuk vjen të më kontrollojë (Itali), më njohin, kam marrëdhënie të shkëlqyera. Në një rast më vendosën një gjobë dhe më thanë të mos e paguaja, sepse nuk do ta verifikonin. Sepse këtu është si në Shqipëri, të duhet një mik ose lidhje me shtetin, kushdo që të jetë në qeveri të duhet të gjesh një mënyrë, sepse edhe këtu njerëzit shiten”, është dëgjuar të thotë në një përgjim këngëtarja 40-vjeçare.
Nëse Boci, i cili ishte qetësuar nga vetë Lila për frikën e përgjimit (“Ka mjete që gjejnë spiunë”) dhe është ende në kërkim, ka përfunduar në pranga edhe boksieri Petrit Bardhi i njohur si “Titi”, 47 vjeç.
Për ata që hetojnë, ka qenë pjesë e grupit të shqiptarëve me Arben Zogun dhe Dorian Petokun, - "Riccardino" dhe "Plutoni" - në biznes me Fabrizio Piscitelli, "Diabolik", lideri ultra i Lacios i vrarë në 2019.
Atëherë si sot, kontaktet më të rëndësishme ishin me klanet e Acilias. Por në këtë rast Bardhi, i cili kryesoi disa samite edhe në Centocelle falë kontakteve të tij në kryeqytet, gjeti klientë për organizatën, por edhe menaxhoi komunikimet me grupet napolitane dhe kalabreze.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.