Gjashtë përgjigjet e nxjerra nga “Bild” kanë shkaktuar jo pak tronditje në radhët e mazhorancës socialiste, e cila si rrallë ndonjëherë ka dalë hapur duke i kërkuar Prokurores së Përgjithshme, drejtues së përkohshme Arta Marku që të arrestojë të gjithë ato prokrurorë apo oficerë të policisë gjyqësore që kanë nxjerrë sekretin hetimor për dosjen e famshme 339 të përgjimeve të kryebashkiakut Vangjush Dako me Artan Avdylajn (Niçen). Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja ka dalë menjëherë në një konferencë për shtyp ku u shfaq tejet i nervozuar, duke i kërkuar në mënyrë të prerë çuarjen përpara drejtësisë për personat që kanë nxjerrë sekretin hetimor.
“Jam këtu i shqetësuar për dy gjëra, e para është koha që prokuroria dhe policia gjyqësore të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e ligjit për procedim penal, jo vetëm për dosjet 339, por për të hetuar të gjithë ato prokurorë që që në mënyrë të verbër kanë braktisur dhe i kanë marrë i kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së, duke thyer rëndë sekretin hetimor. Kjo është e dënueshme sipas kodit Penale, është detyrë e Prokurorisë të hetojë, jo vetëm autorët e përfshirë në veprat penale, por edhe brenda radhëve të veta, sepse koha për t’u ndarë nga prokurorë e oficerë të tillë është sot, për të cilën ne kemi bërë reformën në drejtësi”, deklaroi Manja.
Më tej ai theksoi se këto materiale nxirren pikërisht për të krijuar destabilitet të vendit pikërisht kur Shqipëria ka marrë edhe rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave dhe për cilën PD-ja dhe LSI-ja ka dalë në rrugë.
“Jam i shqetësuar për degradim për një dosje shumë të rëndësishme si 339, ku PD-në e ka kthyer në rrugë, nuk e di nëse ka mbetur më material përgjimi që nuk ka dalë akoma nga dosja 339, sepse opinionit publik i servirin, unë s’kam dëgjuar as për vota, as për lekë, as për leje dhe as për licenca dhe pse ka komunikime e biseda nga persona që janë në akuzë për vepra të rënda penale, por nëse ka, prokuroria do të duhet të vërë para drejtësisë, të qetësojë opinionin publik dhe të mos e mbarsë mjedisin politik me të pavërteta ose gjysmë të vërteta që çojnë ujë në destabilizimin e vendit. U bënë normë që u serviren opinionit publik në media afër PD, apo portale që janë fake news që kërkojnë të spostojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet që ka Shqipëria”, theksoi Manja.
Ai ndërkohë theksoi se i bëjnë përshtypje copëzat e dosjes. “Kanë dalë përgjime edhe me 200 mijë euro copë, që prokuroria duhet t’i zbardhë ato, që shpresojmë që ti zbardhë prokuroria. Se ka gati 1 mln USD lobime në SHBA nga opozita dhe kryetari i saj, duhet të jenë pjesë e kur të krijohet SPAK, prandaj është ora që Prokuroria e agjencitë e organet e zbatimit të ligjit duhet të përgjigjet dhe kushdo që ka përgjegjësi penale duhet të përballet me ligjin”.
Ai përmendi disa herë emrin e kryeprokurores Marku, duke i kërkuar nisjen e hetimit për nxjerrjen e sekretit, duke theksuar se “nuk jam i shqetësuar për përmbajtjen e përgjimeve, kjo është një çështje që duhet të jetë tërësisht e Prokurorisë. Bërja publike e ka dëmtuar tërësisht hetimin”. Pyetjes nëse ndjen përgjegjësi se si anëtar kryesie të PS-së, është ulur në një tryezë me Dakon duke i miratuar qoftë edhe emrat e përfolur në përgjime, Manja theksoi se nuk mban përgjegjësi. “Po jam anëtar i kryesisë së PS-së, jam ulur në një tryezë së bashku me Dakon, dhe çdo tjetër qytetar për sa kohë nuk ka një vendim penal të formës së prerë që e ndëshkon një person si do që ta ketë emrin personi”.
Ndërsa pyetjes nëse Elton Arbana, kandidat i PS-së për bashkinë e Shijakut nuk duhet të kandidojë, Manja u shpreh se “do të ishte mohimi i një të drejte kushtetuese që ka të bëjë me të drejtën për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur pa një vendim të autoriteteve gjyqësore”. Sa i përket takimeve të personave me rekorde kriminale, zyrtari i lartë socialist theksoi se “kur je në politikë askujt në ato takime kur jemi duhet t’i kërkojmë dëshminë e penalitetit, ndryshe nuk do të kishte kuptim sistemi politik. Ne jemi politikanë dhe i kërkojmë votën, do të ishte absurde që çdo qytetari i kërkojmë votën në takime publike ti kërkohet certifikata e pastërtisë (dëshmia e penalitetit)”.
Komisioni parlamentar i Ligjeve pas publikimit të përgjimeve ka reaguar menjëherë duke futur në shqyrtim Rezolutën mbi raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Nxjerrja e sekretit hetimor është cilësuar si skandaloze nga deputetët e PS-së gjatë kësaj mbledhje.
Ka qenë deputeti i PS-së, Bashkim Fino që ka kërkuar futjen në rend ditë të rezolutës së Kuvendit, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se “hetimet proaktive janë pika të dobëta të Prokurorisë”.
“Disa çështje janë zvarritur dhe keqpërdorur. Ekziston tensioni dhe vëmendje për akuzat e vendeve të tjera për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri. Prokroria s’mund të rrijë inaktive sepse është përgjegjëse”, ka thënë Xhafaj.
Nxjerrja e sekretit hetimor është dënuar edhe nga deputeti i PS-së, Spartak Braho, i cili kërkoi që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë. Socialistët kanë amenduar rezolutën, duke përfshirë pikërisht çështjen e luftës ndaj nxjerrjes së sekretit hetimor. Rezoluta pati dy vota kundër nga deputetët e opozitës, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




