Politike

Përgjigjet e munguara për kushtin ‘non-grata’ dhe daljen në zgjedhje me emër të ri kryeministri, a po përpiqet Basha të rifutet në lojë?!

Nga Gazeta Si -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me të drejtë u pyet nga ish-bashkëpunëtorja e tij në parti, aktualisht drejtuese e emisionit “Top Story”, Grida Duma, nëse aksioni tij në Kuvend një ditë më parë ishte një përpjekje për tu ‘futur’ në lojë, ku dukshëm e kishin nxjerrë nga skema Rama dhe Berisha përmes marrëveshjes mes PS dhe PD-së së Rithemelimit.      

“...Unë personalisht nuk kam bërë përpjekje për të qenë në këtë lojë. Unë kam refuzuar me vetëdije të jem pjesë e kësaj loje. Ka një lojë të nëndheshme e cila në këto 34 vite ka marrë formën e ‘mishin ta hanë, por kockën ta ruajnë’, të një kaste politike e cila është prodhim në Shqipëri dhe disa vendeve të tjera.

Është një grusht njerëzish të cilët edhe kur vjen puna për reforma të nevojshme për njerëzit, i sakrifikojnë...”, tha Lulzim Basha i cili debatin e drejtpërdrejt në mediumin e të enjtes mbrëma e pati me Grida Dumën krahasuar pyetjeve të kujdesshme drejtuar një nga panel gazetarësh.

Shpesh herë, gjatë emisionit, ‘Basha’ e distancoi veten nga politika në vend, duke përdorur kryesisht terma populiste por edhe këmbëngulur në çështje që pak kuptohet nga populli, si sistemi zgjedhor.

Ai trumbetoi disa herë listat e hapura, por Basha nuk sqaroi se pse nuk e kishte ndjekur këtë parim vitet e kaluara si kryetar i PD ne prag zgjedhjesh.

Ai nuk dha gjithashtu një përgjigje të drejtpërdrejtë për raportin e tij me faljen që bën ndër vite për aksione politike që kanë shënjuar per keq të ardhmen e PD-së. Por pranoi për herë të parë se nuk kishte dhënë dorëheqjen juridikisht si kryetar nga partia “për të mos ekspozuar partinë përballë agresionit’.

Basha tha se nuk lufton për karrigen e tretë të ofruar nga Gazment Bardhi për reformat me 84 vota, por u shpreh i hapur të japë mbështetjen nëse ai grup plotëson kërkesat e tij për reformën zgjedhore.

Në fund, Basha u kthye sërish tek pikëpyetja e fillim emisionit nëse  do të jetë pjesë e lojës politike apo jo?

Ndryshe nga çdo herë tjetër, Basha iu spërdrodh një pyetje direkte drejtuar nga gazetari Robert Rakipllari nëse do kishte më kusht “non gratën” në rast se kërkesat e tij për zgjedhjet do të miratoheshin. “Sot Rithemelimi duhet të shprehet nëse është për lista të hapura apo jo. Ne kemi një bazë për të diskutuar. Janë edhe 2 parime të tjera thelbësore, mbështetja pa kushte për drejtësinë. Dhe e treta është partneritet i pandërprerë me Perëndimin” tha Basha. Një përgjigje kjo me nënkuptime sipas zhvillimeve politike të ardhshme, ndërsa la pa përgjigje  një debat që vlon nën rrogoz nëse ishte dakord për t’ju bashkuar Federatës të së djathtës për të shkuar në zgjedhje me një emër kryeministri të ri që nuk ishte as ai dhe as Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë