I dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do të nisë sot(13 mars)vizitën në Beograd, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Të dy liderët do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Lajçak viziton Beogradin disa ditë pas vizitës dyditore në Prishtinë, ku është takuar me Kurtin, dhe zyrtarë tjerë politikë.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.
Më 9 mars, Lajçak ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes, dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritshmëritë e tij.
Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak ka thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja nuk do të jetë ligjërisht obliguese pa të.
Më 10 mars, Lajçaku ka thënë se beson që Marrëveshja do të zbatohet të paktën pjesërisht, nëse jo plotësisht, dhe se harmonizimi “i një pjesë të mirë” të udhërrëfyesit do të përbënte sukses.
Vuçiç ka deklaruar se Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën për të biseduar drejt normalizimit.
Një ditë më vonë, Vuçiç ka përsëritur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk e ka të qartë” se çfarë do të diskutojë me Lajçakun.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



