Futboll

Përfundon ‘telenovela’, Strakosha prezantohet te Brentford

Gazeta Si – Tani është zyrtare. Tomas Strakosha është lojtari më i ri Brentfordit, skuadrës së Premier Ligës. Klubi anglez ka bërë sot në faqen e tij zyrtare prezantimin e portierit kuqezi.

Strakosha ka firmosur për 4 vjet me Brentfordin. Ai ka kaluar në Premier Ligë, pasi i përfundoi kontrata me Lacion në Itali, ku ka kaluar karrierën e tij të deritanishme.

‘Gardiani’ shqiptar e kishte ndarë mendjen për të luajtur në Premier Ligë, që për momentin është kampionati më i fortë në botë. Zyrtarizimi i ekipit të ri u zgjat pak, duke u shndërruar në një ‘telenovelë’, që tashmë ka marrë fund.

Javët e fundit emri i portierit Tomas Strajkosha doli edhe te Çelsi apo Mançester Junajtid, ku do të bënte të dytin. Te Brentfordi Strakosha mund të jetë titullar sezonin e ri.

Tomas Strakosha, portieri i Kombetares. Gazeta Si, 14 korrik 2022

Shtohen kështu kuqezinjtë në Angli. Pas Armando Brojës, që me shumë mundësi do të qëndrojë në Premier Ligë, dhe Rei Manajt që firmosi për Uatfordin, vjen edhe Tomas Strakosha. Tre lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares do ta vazhdojnë karrierën në ishull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë