Gazeta Si – Telenovela më e gjatë e merkatos së kësaj vere ka ardhur në fundin e saj. Sharl de Ketelaere është një lojtar i Milanit. Akord total mes klubit kuqezi dhe Bryzhit, mungojnë vetëm praktikat burokratike për zyrtarizimin e operacionit.
Lojtari belg pritet të mbërrijë në Milano. Ai do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Milanin, nga e cila do të përfitojë 2.3 milionë euro në sezon.

Milani dhe Bryzhi më në fund kanë shtrënguar duart dhe De Ketelaere do të vishet kuqezi për 32 milionë euro, plus 3 milionë euro nga bonuset. Nëse Milani në të ardhmen e shet lojtarin për më shumë se 32 milionë euro, një pjesë e fitimit shkon për klubin belg.
Ende nuk është hedhur e zeza mbi të bardhë, pasi po formulohen disa teknikalitete të kontratës. Por është e qartë se mundja e dorës mes Maldinit dhe Masarës me Vinsent Manaert, njeriun e merkatos te Bryzhi, ka përfunduar.
Belgu do të kryejë vizitat mjekësore dhe trajneri Stefano Pioli do ta ketë në dispozicion biondin pas kthimit nga Marseja, ku të dielën do të zhvillohet testi i radhës.
De Ketelaere kërkoi me ngulm transferimin te Milani. Ai refuzoi Lidsin, që ishte gati të shpenzonte 40 milionë dhe t’i ofronte lojtarit një shifër më të lartë se ajo e Milanit.
Te kuqezinjtë lojtari belg është llogaritur si titullar në rolin e trekuartistit. Te Bryzhi ai ka luajtur edhe si sulmues i parë, por është parë që preferon të hapet në krah. Maldini, Masara dhe Pioli e kanë marrë për të bërë numrin 10, që lidh mesfushën me sulmin.
Në kampionatin e fundit ai ka shënuar 14 gola, duke luajtur si sulmues i avancuar. Adli ka shënuar 3 në dy kampionatet e fundit, kurse Brahim Diaz 7, prandaj dhe Milani kërkon më shumë kualitet në këtë sektor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




