Ngjarje

Përfundon stërvitja ‘Përpjekja e Përbashkët 2024’ në Bizë, Peleshi: Një test real i planeve kombëtare në mbështetje të NATO-s

Nga Gazeta Si- Ka përfunduar stërvitja më e madhe kombëtare e Forcave të Armatosura “Përpjekja e përbashkët 2024 e zhvilluar në Bizë. Stërvitja sinkronizoi aftësitë ndërvepruese të niveleve komanduese e drejtuese si dhe ekzekutimin e veprimeve luftarake të trupave në terren. Në këtë stërvitje u angazhuan rreth 2000 trupa, qindra mjete tokësore, anije të Forcës Detare, helikopterë të Forcës Ajrore, si dhe për herë të parë dronët “Bayraktar TB2”.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit  të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Arben Kingji deklaroi se kjo stërvitje ka rëndësi të madhe për vendin tonë, pasi shërben edhe si një test real i planeve kombëtare në mbështetje të planeve rajonale të NATO-s. “Kjo stërvitje vuri në provë kapacitetet tona reaguese në rast të aktivizimit të Artikullit 5 të NATO-s, atë të mbrojtjes kolektive, gatishmërinë e forcave, aftësitë dislokuese, komandim-kontrollin, sigurimin e pikave të debarkimit detar dhe ajror, sigurimin e infrastrukturës kritike, si dhe zhvillimin e operacioneve mbrojtëse dhe mësymëse të trupave të deklaruara për t’u dislokuar jashtë vendit", u shpreh Ministri Peleshi.

Referuar mjedisit të sotëm të sigurisë, Ministri Peleshi vuri në dukje faktin se në përmbushje të angazhimeve kombëtare dhe atyre të deklaruara në NATO, vendi ynë ka ndërmarrë një sërë procesesh të rëndësishme për zhvillimin e Forcave të Armatosura, për të qenë të afta për të përmbushur misionin kushtetues dhe tërësisht të ndërveprueshme me vendet e Aleancës.

"Ne jemi të vendosur për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik, duke vendosur theksin te transformimi i pandërprerë i forcave dhe kapaciteteve ushtarake. Modernizimi i FA me pajisje moderne, sisteme të mbrojtjes kundër-ajrore dhe kundër-tanke, të vëzhgimit dhe monitorimit të hapësirës ajrore dhe detare, krahas projekteve për përmirësimin e infrastrukturës ushtarake, e bëjnë vendin tonë një aset të rëndësishëm të Aleancës, në mbështetjen e operacioneve në kuadër të shkurajimit dhe mbrojtjes kolektive", theksoi në fjalën e Ministri i Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë