Futboll

Përfundon rrugëtimi europian i Ballkanit, përvojë e bukur për kampionët e Kosovës

Gazeta Si – Ballkani luajti sot ndeshjen e fundit në Ligën e Konferencës, duke mbyllur kështu edhe rrugëtimin historik në Europë. Skuadra e Dajës u mund 1-0 në Rumani nga Kluzh.

Goli i vetëm u shënua nga Boateng pas 17 minutash lojë. Rumunët fituan edhe një penallti, që u gjuajt dy herë nga Deac, por në të dy rastet ai u ndal nga portieri Stivi Frashëri. Kampionët e Kosovës e kërkuan golin e barazimit, por pa mundur ta gjenin atë.

Ballkani feston nje gol ne Ligen e Konferences. Gazeta Si, 3 nentor 2022

Ballkani e mbyll fazën e grupeve në vend të fundit, me 4 pikë në 6 ndeshje. Kanë kaluar më tej Kluzhi dhe Sivaspori, ndërsa vendin e tretë e zunë çekët e Sllavias së Pragës.

Pavarësisht rezultateve, duhet theksuar se ishte një përvojë shumë e bukur për skuadrën kosovare. Përveçse hyri në histori me kualifikimin për herë të parë të një ekipi kosovar në fazën e grupeve të një kompeticioni europian, Ballkani impresionoi me nivelin e lojës dhe sidomos me fitoren në Turqi, 3-4 ndaj Sivasporit.

Kjo eksperiencë e bukur do t’i shërbejë këtij ekipi për të ardhmen, ndërsa tani fokusi do të jetë te kampionati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë