Drejtësia

Përfundon mbrojtja për inceneratorin e Fierit, më 25 shtator vendimi ndaj të akuzuarve

Gazeta Si – Vendimi përfundimtar ndaj të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit do të jepet në datën 25 shtator.

Këtë të hënë ka përfunduar mbrojtja e të pandehurve dhe GJKKO do të vendosë për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë pas rreth dy javësh.

SPAK ka kërkuar 10 vjet burg për Lefter Kokën, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, i njëjti dënim i kërkuar ndaj tij edhe në procesin për inceneratorin e Elbasanit.

Për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite. Për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkon përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj.

Pak ditë më parë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, kërkoi pafajësi dhe drejtësi të pandikuar në Gjykatën e Posaçme për akuzat kundër tij për inceneratorin e Fierit. Koka i konsideroi akuzat absurde dhe të bazuara në mendime personale të ish-drejtuesve të LSI-së.

Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë