Politike

Përfundon mbledhja e kryesisë, PS: Zgjedhjet nuk shtyhen

Për rreth 3 orë e 30 minuta, kryeministri Rama ka mbledhur Kryesinë e Partisë Socialiste, ku është diskutuar për zhvillimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre, ndërsa të majtët e kanë bërë të qartë se do të ndëshkohen ata që do të tentojnë të pengojnë qytetarët që të votojnë në 30 qershor.

Gjithçka shkon në linjën e deklaratave të mëparshme, ku Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla kërcënoi me 7 vite burg Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Sali Berishën nëse shkaktojnë trazira ditën e zgjedhjeve.

Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se u diskutua në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Spiropali e konsideroi turp mospjesëmarrjen e opozitës.

“PS nuk negocion për zgjedhjet. Zgjedhjet janë më 30 qershor dhe Partia Socialiste ka vendosur të marrë pjesë si subjekt politik. Ne diskutuam sot për kandidatët më të mirë që mund të kemi për secilën bashki të vendit. Deri më 13 maj do të dalin edhe koalicionet e plota dhe kandidatët për kryetarë të bashkive, – tha Spiropali. – Nuk jemi këtu për të diskutuar e për të vendosur datën e zgjedhjeve, këto janë çështje kushtetuese, ne jemi një parti politike që i përgjigjet kësaj thirrje”.

Spiropali theksoi se çdo akt dhune është i papranueshëm dhe do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Ne nuk do të marrim pjesë në luftë por në zgjedhje dhe shpresojmë që asnjë kryetar të partive politike nuk e ka lënë mendja që të pengojnë shqiptarët të votojnë.  Është një turp që PD ka zgjedhur t’i lërë në rrugë zgjedhësit e saj duke djegur mandatet dhe duke mos hyrë në zgjedhje. Turp për ato parti që kanë marrë këtë vendim. Do bëjmë përzgjedhjet më të mira për kandidatët do t’i zgjedhim sipas kontributit ët tyre”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë