Kosova

Përfundojnë bisedimet e kryenegociatorëve në Bruksel pa një takim trepalësh

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

Takim trepalësh nuk ka pasur.

BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështjet e energjisë.

Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë