Futboll

Përfshirja në baste, mbrojtësi i Atletico Madrid vihet nën hetim

Probleme të mëdha për Kieren Trippier. Mbrojtësi i Atletico Madrid ka përfunduar në shënjestrën e Football Association për sjellje të pahijshme me akuzën se ka thyer rregulloren mbi bastet. Në vëmendjen e hetuesve është vënë transferimi i anglezit nga Tottenham tek Colchoneros në korrik 2019. “Nuk kam vënë kurrë bast e nuk kam përfituar kurrë nga bastet” është mbrojtur lojtari i kombëtares angleze përmes një komunikate, edhe pse rrezikon 4 muaj skualifikim.

Trippier do të ketë kohë deri në 18 maj për të prezantuar versionin e tij të fakteve. FA do të prezantojnë kërkesën tek Fifa për të bërë të vlefshëm skualifikimin e tij të mundshëm edhe në Spanjë, ku ndodhet tashmë mbrojtësi, që ka thyer të njëjtat rregulla si Daniel Sturridge, të cilit në mars i është njoftuar një skualifikim për katër muaj, përveç një gjobe prej 150.000 sterlina, për arsye se ka dhënë informacione të vëllait në nëntor 2018 mbi një transferim të mundshëm të tij tek Sevilla, që në fund dështoi.

Trippier, ndërkohë është mbrojtur duke hedhur poshtë çdo akuzë: “Kam bashkëpunuar plotësisht në hetimet e FA gjatë muajve të fundit vullnetarisht dhe do vazhdoj ta bëj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë