Ka ndodhur

Përfshihet nga flakët fusha e mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit, PD: E ka bërë Bashkia

Mëngjesin e sotëm, një vatër zjarri është përhapur në pikën e grumbullimit në inceneratorin e qytetit të Elbasanit. Për disa orë rresht, mjegulla e shkaktuar nga tymi mbuloi qytetin e Elbasanit dhe më së shumti zonën periferike të Bradasheshit.

Bëhet me dije se zjarri ka nisur që prej orës 05:00, ndërsa flakët janë përhapur në pjesën më të madhe të fushës së mbetjeve.

Në njoftimin zyrtar të policisë theksohet se paraprakisht dyshohet se shkak i vatrës së zjarrit në landfill ka qenë “një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve”, por pa e specifikuar teknikisht këtë reaksion.

Blendi Himçi, kryetar i PD Elbasan tha se urdhrin për zjarrvënien e ka dhënë kryebashkiaku.
“Kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e vendosur nga vetë Bashkia Elbasan. Pa diskutim është vendosur ditë të shtune, kur njerëzit janë pushim, kur mediat janë pushim në përgjithësi dhe që të kishte një sensibilizim sa më të pakët. Ka ndodhur gjatë natës, kur temperaturat janë të ulëta, pra jemi para një zjarrvënie të qëllimshme, me urdhër të posaçëm të kryetarit të bashkisë Elbasan, por edhe instanca të tjera për të mbuluar vjedhjen që ndodh në incenerator. Inceneratori ka punuar vetëm 3 muaj. Mali me plehra ka kaluar çdo përmasë dhe për të ulur sasinë e mbetjeve urbane i vihet flaka. Sot Elbasani është zgjuar nën tymin dhe ajrin toksik të plehrave. E kemi ngritur këtë çështje në çdo mbledhje të këshillit bashkiak, por kryetari e ka kaluar me batuta”, deklaroi Himçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë