Drejtësia

Përfitoi tenderë abuziv, SPAK sekuestron kompaninë ‘5D Konstruksion’ të ish-drejtorëve të Veliajt. Skema e qarkullimit të parave

Gazeta Si – SPAK ka vendosur masën e sekuestros preventive për kompaninë “5D Konstruksion”, e cila dyshohet se ka përfituar tendera abuzivë, që janë të lidhura me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Prokuroria e Posaçme thotë se janë zbuluar shuma parash që kanë qarkulluar, me të cilat më pas janë blerë edhe pasuri të tjera të paluajtshme. Përfshirë edhe një vilë, truall dhe katër apartamente të tjera janë bllokuar nga shteti.

Skema

Bëhet fjalë për subjektin “5 D Konstruksion”, që është duke ndërtuar dhe një objekt në zonën e plazhit në Durrës dhe të regjistruar në emër të Nestor Muhamellarit.

Një tjetër kompani e bllokuar është “Restur”, e themeluar në vitin 2020 me ortak dhe administrator vetë Redi Mollën.

Në administrim të shtetit, është dhe 24 për qind e kuotave të subjektit “Mediterranean Investment Group, dhe që zotërohen prej Redi Mollës.

Gjatë hetimeve të nisura në vitin 2023 SPAK thotë se ka zbuluar shuma monetare që kanë kaluar nga kompani të tjera drejt “5D”-së, që akuzohet se në fakt i përkasin dy drejtorëve të Tiranës, Molla dhe Qato.

“Paratë pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktive, duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Madje paratë janë përdorur më pas edhe për blere të pasurive të tjera të paluajtshme. Së bashku me tre kompanitë, Prokuroria e Posaçme ka bllokuar truallin 506 m2 dhe ndërtesën në të në rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë e që i përkasin shtetasve Selim Molla, Ollga Molla. Të njëjtëve persona u është bllokuar dhe trualli 51.3 m2 në të njëjtën zonë.

Një apartament 122 m2 dhe dy parkime me 42 m2, në emër të Sanije Qatos e afërme e Mariglen Qatos, po ashtu janë sekuestruar së bashku me një apartament 86 m2 që i përket të njëjtit person.

Hetimet

Në fund, të marsit, nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës përfunduan në pranga pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme.

Gjykata e Posaçme, miratoi në mars të këtij viti 3 masa sigurie “arrest me burg”, për Redi Mollën, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë, Taulant Tushën, ish-Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Mariglen Qaton, ish-Drejtor Inspektoratit së Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë. Gjithashtu miratoi 6 masa të tjera sigurie “detyrim paraqitje”.

Tre ish drejtorët u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere.

Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2023, për dy vepra penale “Shperdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë ne tendera”.

Urdhër-arrestet e SPAK lidhen me tenderat e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve në varësi të saj, të fituara nga kompania “5D Konstruksion” sh.p.k., e cila njihet edhe si subjekti “Igor Elektrik” sh.p.k apo  “V.A.S Konstruksion” sh.p.k.

Sipas SPAK, rezulto se Molla e Qato janë pronarët faktikë të kompanisë “5D Construction” e cila në periudhën 2016-2020 ka fituar tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.

Pasuritë e sekuestruara

1.Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.

2.Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.

3.Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.

4.Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.

5.Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.

6.Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet. 

7.Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet. 

Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë