Biznes

Përfitimet fiskale të sezonit turistik/ Konsumi i lartë amortizohet nga informaliteti

Nga Gazeta ‘Si’ – Sezoni turistik 2025 ka gjeneruar më shumë konsum se një vit më parë, përkthyer në më shumë të ardhura, por një pjesë e madhe e tyre vazhdon të minohet nga informaliteti.

Ky është konkluzioni i ekspertëve financiarë të qendrës ALTAX, të cilët analizojnë sezonin turistik nga pikëpamja e cilësisë fiskale.

Nga llogaritjet e ALTAX rezulton se çdo vizitor shtesë gjatë periudhës Janar–Korrik 2025 ka gjeneruar mesatarisht rreth 65.000 lekë të ardhura tatimore shtesë. Ky rezultat tregon se rritja e të ardhurave tatimore +9.4% ka qenë më e shpejtë se rritja e numrit të vizitorëve, +5.1%.

Rritja 11.8% e akcizës është po ashtu një tregues i konsumit të lartë të karburantit, transportit dhe produkteve të zakonshme turistike. Pozitivisht vërehet arkëtimi i lartë nga tatimi mbi pagat, +26.5%, si provë e formalizimit të punësimit sezonal dhe turizmit në tërësi. Nga llogaritjet e ALTAX rezulton se çdo punonjës sezonal në turizëm ka kontribuar mesatarisht rreth 406.000 lekë në tatimin mbi pagat dhe sigurimet shoqërore gjatë periudhës Janar–Korrik 2025.

Por në këtë drejtim ALTAX analizon se informaliteti në turizëm është ende i lartë dhe këtë e konfirmojnë shifrat nga TVSH-ja. Edhe pse rritja është +6.6%, TVSH mbeti nën planifikim, duke sinjalizuar se një pjesë e madhe e konsumit vijon të mos deklarohet dhe se informaliteti në shërbimet turistike është ende i lartë. TVSH fakt mbeti rreth 0.25% nën planin e buxhetit, që është relativisht e ulët në përqindje, por për një ekonomi si Shqipëria, kjo diferencë mund të përfaqësojë një volum të konsiderueshëm konsumesh të paregjistruara, sidomos në sektorin e turizmit ku shërbimet dhe hotelet mund të mos raportojnë të gjitha transaksionet.

Nga llogaritjet rezulton se, çdo vizitor mesatarisht kontribuoi 29 lekë konsum të paregjistruar (TVSH e papaguar). Në përqindje, informaliteti duket i vogël (~0.25% e TVSH-së totale), por për miliona vizitorë ky është një volum i konsiderueshëm i konsumit të paformalizuar, që lidhet kryesisht me shërbimet turistike të vogla dhe transaksionet e pa deklaruara.

Edhe rritja modeste +2.9% e tatimit mbi fitimin tregon se bizneset nuk kanë pasqyruar proporcionalisht fitimet e rritura nga konsumi turistik, duke ngritur dyshime mbi raportimin fiskal të tyre.

Taksat vendore me rënie -7.4%, nxjerrin në pah pamundësinë e bashkive për të kapitalizuar flukset turistike, veçanërisht përmes tatimit mbi pasuritë dhe shërbimet publike. Si pasojë, bashkitë humbasin pjesën e tyre të të ardhurave që mund të vinte nga shërbimet turistike, si pagesat për hotele, restorante, transport lokal dhe aktivitete argëtuese. Rënia e taksave vendore po ndikon në vijimësi gjithashtu në kapacitetin e investimeve lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe turistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë